Poradeci, mbledhës i folklorit muzikor e letrar, nga populli e pa censurë! Këngët grarishte erotike e të dashurisë, e bija: Asokohe nuk i botuan

13 Nëntor 2022, 13:29| Përditesimi: 13 Nëntor 2022, 14:00

  • Share

7 vite dedikuar këngëve popullore grarishte, nga Korça, Pogradeci e krahina të tjera, Lasgush Poradeci si mbledhës pa censurë i lirikës së dashurisë, dasmës a erotizmit, vjen në një botim dy vëllimor të Akademisë së Shkencave, përgatitur nga të bijat.

“Babi thoshte që çdo poet duhet të njohë së paku këngët popullore të vendit të tij, që mund të mos jetë e përsosur në të gjitha stadet, por ka vargje të mrekullueshme… Duke qenë filolog ai e dinte se sa e rëndësishme është tradita e një populli, sepse pa të ai popull humb fuqinë si komb”, thotë Marie Gusho.

Këngë të mbledhura duke i dëgjuar nga goja e popullit nga viti 1931-1937, për një studim të nisur nga poeti mbi këtë pasuri kombëtare, që dëshmojnë  rolin e tij si mbledhës i folklorit muzikor e letrar vendas.

“Babi im do të bënte një studim, por siç erdhi 1944 për babin tim heshtën nuk folën, nuk i botuan, kështu që ato ngelën”, thotë më tej e bija e poetit.

Pas blerjes së bibliotekës personale nga Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave e shpalli Poradecin anëtar nderi, bashkë me disa personalitete të tjera të vendit, përfshirë edhe shkrimtaren Musine Kokalari.

“Lasgush Poradeci dhe Musine Kokalari, kanë qenë përveç të tjerave edhe mbledhës të këngëve dhe të të gjithë pasurisë folklorike popullore. Dhe është rasti të themi se mendjet e ndritura mendojnë njësoj, ose ecin njësoj. Ka pasur një korrespodencë të dendur mes Musine Kokalarit dhe Lasgush Poradecit, ku ajo i dërgon dorëshkrimet apo idetë e veta dhe i kërkon mendimin e tij me shumë mirësjellje. Mandej, Poradeci i përgjigjet me një elegancë, duke i nisur letrat me e ‘e nderuara zonjës’, ose ‘fort e nderuara zonjëz’” … Kjo duhet të na kthejë mbrapsht te bukuria e komunikimit, eleganca e komunikimit”, thotë stërmbesa e Musinesë, Linda Kokalari.

A.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?