Masat anti-COVID/ Policia 'toleron', 2 mijë gjoba në 2021 për thyerje të orës policore, në 2020 kaq gjoba vendoseshin vetëm për 24 orë

16 Shkurt 2022, 15:48| Përditesimi: 16 Shkurt 2022, 16:17

  • Share

Nëse në vitin 2020 mesatarja e gjobave për thyerjen e orës policore ka qenë nga 1 mijë deri në 2 mijë në ditë nga ana e Policisë së Shtetit, e njëjta nuk ka ndodhur nga 1 janari deri në 31 dhjetor të vitit 2021. Sipas burimeve nga policia, në total gjatë këtij viti janë vendosur 1987 gjoba.

Ora policore 23:00 me 06:00 nuk ka ndryshuar që prej nisjes së pandemisë rreth dy vite më parë. E njëjta gjë ndodh edhe me mbylljen e lokaleve dhe ndalimit të muzikës. Ajo që ka ndryshuar është qasja e policisë për ndëshkimin e atyre që thyejnë rregullin e vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Gjatë 12 muajve të vitit 2021, sipas burimeve të Report Tv, në total janë rreth 2 mijë gjoba për thyerje të orarit kur kaq gjoba në 2020-ën janë vendosur vetëm në një ditë. Ndëshkimi i atyre që lëvizin në orë policore është ulur në mënyrë drastike, edhe pse shifrat e Delta-s dhe Omicron kanë pasur trend gjithnjë e në rritje.

Vitin e kaluar policia ndëshkoi vetëm 314 subjekte që shërbejnë në ambiente të mbyllura duke mos respektuar rregullat anti-COVID. 85 lokale u ndëshkuan për mosrespektim të orarit 23:00 të përcaktuar për mbylljen dhe 77 të tjerë për vendosje të muzikës gjatë orës policore.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka parë të arsyeshme që masat kundër Covid-19 të vijojnë të jenë në fuqi, në përpjekje për parandalimin e valës së infektimeve me virusin e rrezikshëm.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?