Aleksandër Ceferin

'Po argëtohem shumë', kreu i UEFA-s për Superligën: Kompeticion i mrekullueshëm me vetëm dy ekipe

21 Dhjetor 2023, 16:23| Përditesimi: 21 Dhjetor 2023, 16:22

  • Share

Gjykata Evropiane e Drejtësisë i dha sot dritën jeshile krijimit të Superligës në futboll, një event që u prezantua dy vite më parë dhe tronditi UEFA-n dhe FIFA-n.

Tanimë iniciatorët e Barcelonës dhe Real Madridit kanë të drejtë të vijojnë me idenë, me Gjykatën që tha se FIFA nuk mund të ketë monopol në organizimin e eventeve të futbollit.

Në lidhje me këtë vendim reagoi edhe kreu i UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Ai tha se është i trishtuar që duhet të shohë diçka të tillë dhe se mezi pret një event që mbështetet nga dy klube.

"Jam i trishtuar që duhet të flas për vendimin e sotëm të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Ne do të rilexojmë dhe vlerësojmë nëse do të rishikojmë qëndrimin tonë për Superligën. Është e rëndësishme të theksohet se ajo nuk përqafon parimet mbi të cilat futbolli bazohet, ato me merita sportive, të garantuara vetëm nga UEFA", tha slloveni.

Ai tha se nuk mund të dalin kundër kampionateve kombëtare dhe se futbolli nuk është në shitje.

"Nuk kemi thënë kurrë që nuk mund të dalim jashtë sistemit, por nuk mund të dalim dhe të duam të luajmë kampionatet kombëtare. Ne kemi qeveri kombëtare dhe institucione kombëtare me vete. Nuk kishte dritë jeshile për Superligën siç u propozua në 2021. Futbolli nuk është në shitje", tha Ceferin.

Kreu i UEFA-s tha me ironi se është duke u argëtuar dhe se mezi pret një event që kanë mbetur vetëm dy ideatorë.

"Të gjitha organizatat dhe ligat në Evropë janë me ne. E gjithë kjo më argëton sepse sistemi dhe formati që ata prezantuan sot është edhe më afër atij të vitit 2021 kur të gjitha klubet e mundshme i refuzuan. Ne nuk do të përpiqemi t’i ndalojmë ata. Ata mund të krijojnë çfarëdo konkurrence që duan. Shpresoj që gara mes dy klubeve të fillojë sa më shpejt. Shpresoj se ata e dinë se çfarë po bëjnë, megjithëse nuk jam më i sigurt për këtë", tregoi kreu i UEFA-s.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?