Plotësohet EURO 2020, Maqedonia e Veriut bën historinë, sigurojnë një biletë edhe Skocia, Sllovakia e Hungaria

13 Nëntor 2020, 10:26| Përditesimi: 13 Nëntor 2020, 11:51

  • Share

Plotësohet  me të 24 skuadrat Euro 2020 që do të zhvillohet vitin e ardhshëm i shtyrë për shkak të pandemisë. 4 ekipet e fundit që prenë biletën ishin Maqedonia e Veriut, Hungaria, Sllovakia dhe Skocia që u kualifikuan nga play-off i Ligës së Kombeve. Maqedonia e Veriut bën historinë duke u kualifikuar për herë të parë në një kompeticion madhor. Goli i veteranit Goran Pandev mjaftoi për të mundur Gjeorgjinë 1-0. Meritë kanë edhe futbollistët shqiptarë që luajnë në kombëtaren e vendit fqinj.

Në një kompeticion madhor do të luajë për herë të parë që pas Botërorit të 98-tës edhe Skocia. Britanikët bënë surprizën duke mposhtur pas penalltive Serbinë në Beograd. 120 minutat u mbyllën në barazim 1-1 ndërsa nga pika e bardhë fatal rezultoi gabimi i Mitrovic.

Edhe Sllovakisë i janë dashur 120 minuta për të siguruar një biletë për në Europianin e ardhshëm. Sllovakët mposhtën 2-1 Irlandën e Veriut dhe do të luajnë në grup me Poloninë, Spanjën dhe Suedinë në Euro 2020.

Pas 2016-tës Hungaria do të marr pjesë sërish në Europian. Hungarezët përmbysën Islandën duke fituar 2-1 në frymën e fundit falë golit të talentit Dominik Szoboszlai në shtesë. Në Europian Hungaria do jetë në grupin e vdekjes me Francën , Gjermaninë e Portugalinë.

Përgatiti: Andi Kapxhiu

er.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?