Politikë

Plotësimi i vakancave të AMA, Meta si PD: Qeveria po kap lirinë e medias, po minon integrimin! Plotësimet të bëhen me kuvendin e ri

27 Maj 2021, 13:46| Përditesimi: 27 Maj 2021, 17:37

  • Share

Pas PD edhe Presidenti Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se po kap dhe merr nën kontroll Autoritetin e Mediave Audiovizive me plotësimin e  vakancave të saj me njerëz që janë të lidhur me qeverinë.

Meta dënon nxitimin e mazhorancës që sipas tij po uzurpon institucionin e AMA-s, ndërsa bën thirrje që të shtyhet plotësimi i vakancave në AMA derisa parlamenti i dalë nga 25-prilli të nisë punën. Meta shkruan se çdo tentativë për kontroll të lirisë së medias është goditje e rëndë për demokracinë dhe minon seriozisht rrugëtimin drejt BE

"E mbështes plotësisht shqetësimin e drejtë të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të rreth 8200 kolegëve të tyre të huaj të grupuar në Rrjetin "Safe Journalists" dhe e dënoj me forcë nxitimin e mazhorancës dhe të Kuvendit aktual njëpartiak për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, një institucion thelbësor për garantimin e lirisë së medias në vendin tonë.

Është pikërisht Kuvendi aktual, që nuk ka qenë i sinqertë, as me median, as me Bashkimin Europian dhe as me Komisionin e Venecias. Për më tepër, që po mbushet gati një vit (19 qershor 2020) dhe ende Parlamenti nuk është tërhequr zyrtarisht nga paketa antikushtetuese "Antishpifje".

Duke e përkrahur thirrjen e gazetarëve për të shtyrë plotësimin e vakancave në AMA, pasi Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të fillojë punën, theksoj se çdo tentativë për kontroll të lirisë së medias është goditje e rëndë për demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, që minon seriozisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian", shkruan Meta.

AMA aktualisht ka mbetur me 3 anëtarë nga 7 që ka gjithsej bordi i saj, që do të thotë se nuk e ka korumin e nevojshëm për të marrë vendime. Kjo ka bërë që Kuvendi të shpallë vakancat e saj për plotësimin e tyre.

Konkretisht një vend ka mbetur bosh që nga shkarkimi i Zylyftar Bregut në 2019 nga Kuvendi me kërkesë të  kryetarit të AMA-s, Gentian Sala. Ndërsa dy anëtarëve të tjerë të AMA-s Gledis Gjipalit dhe Piro Mishës u ka mbaruar mandati. Ndërsa vakanca e 4-t është krijuar pas dorëheqjes së Agron Gjekmarkajt si anëtar bordi i AMA-s, i cili u zgjodh deputet i PD në qarkun e Lezhës. Aktualisht në bordin e AMA-s janë Gentian Sala Kryetar, Sami Nezaj zv. kryetar, dhe Suela Musta anëtare.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?