Plani ekonomik i PD, biznesi kritikon premtimin për rritje deri në 36 mijë lek të pagës minimale: Shton kostot dhe ul punësimin

1 Shkurt 2021, 18:03| Përditesimi: 2 Shkurt 2021, 09:11

  • Share

Nëse PD vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 25 prillit, nuk do të ketë asnjë pagë poshtë 36 mijë lekëshit. Ky është premtimi i kreuttë selisë blu Lulzim Basha, sa i takon pagës minimale, e cila aktualisht është 30 mijë lekë. Kjo rritje e pagës sipas biznesit fason, nëse nuk shoqërohet me mbështetje financiare për ata do ketë efekt negativ.

“Po nuk pati një ndërhyrje ose të themi një ndihmesë paralele për të minimizuar këtë rritje të pagës minimale, padyshim që efekti do të ishte bumerang negativ, që po e shohim. Kjo do të çonte edhe në ngushtimin e vendeve të punës përsa i takon sektorit tonë”, shprehet Edvin Prençe kreu i ProEksport Albania.

Për eksportuesit shqiptar ky është një premtim populist që rrit kostot e biznesit.

“Natyrshëm që 36 mijë lekë paga minimale është premtim populist. Jo vetëm rrit kostot, por kufizon mundësinë për të punësuar njerëz pa eksperiencë në punë, dhe ndërhyrja në kostot e biznesit pa krijuar lehtësira për kompensimin e këtyre ndërhyrjeve e bën biznesin shqiptar më pak konkurrues. Rrogat nuk rriten me VKM por me politika zhvillimi”, shprehet Alban Zusi kreu i qendrës së eksporteve shqiptare.

Rritja e pagës minimale në shkallë vendi do të sillte rritje të konsumit të qytetarëve thotë kreu i Agrobiznesit Agim Rrapaj, teksa shton se aktualisht nuk është e mirëpritur nga biznesi.

“Paga minimale natyrshëm që duhet të ketë një trend rritës. Sepse ndikon pozitivisht në rritjen e konsumit dhe fondit të sigurimeve.  Sivjet sapo u rrit paga minimale dhe rritja përsëri brenda një kohe të shkurtër do të gjej zbatim. Në kushtet që po zhvillohet ekonomia jonë fasonët, bujqësia dhe të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor, nuk janë të predispozuara për të pranuar një rritje tjetër të pagës minimale” pohon Agim Rrapaj kreu i agrobiznesit në vend.

Sa i takon taksës së sheshtë apo asaj progresive biznesi ka dyshime për të dyja. Arben Shkodra thotë se heqja e taksave për biznesin e vogël apo vendosja e tatimit 9% të premtuar nga PD-ja nuk duhet të shoqërohen me tarifa të reja.

“Gjithë ky diskursi, taksa pa taksa, heq taksa apo ul taksa e me radhë i pashoqëruar me një plan të qartë, që shpjegon se në momentin që ul taksat apo heq taksat do të kemi këtë benefit sepse do të fusim në punë këto lloj instrumentesh dhe do të garantoj një mekanizëm dhe do të krijojmë një sistem të madh i cili do të jetë produktiv, atëherë gjithçka kthehet thjesht retorikë propagandë dhe asgjë tjetër. Nëse heqim një taksë dhe shtojmë tarifa të tjera të fshehura, kjo është një hile e madhe, ka ndodhur më parë dhe kemi frikë se do ndodh përsëri. Këtu e kam fjalën për taksën 0% të qeverisë, 9% të sheshtë dhe të tjera, duhet të jenë më të qartë dhe të paraqesin të gjithëprogramin e zhvillimit ekonomik”, thotë Arben Shkodra, sekretar i Bashkimit Prodhues Shqiptar.

Ekspertët e ekonomisë dhe bizneset përtej programeve politike të prezantuara nga partitë politike, kërkojnë siguri dhe qartësi se si do të implementohet ato. Sa i takon taksës së sheshtë pikëpyetja më e madhe është nëse do të aplikohet menjëherë apo do të zbatohet gradualisht për bizneset dhe punonjësit.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?