Plagët e hapura të Srebrenicës dhe gjenocidi i 25 viteve më parë

9 Korrik 2020, 11:20| Përditesimi: 9 Korrik 2020, 11:25

  • Share

Me një marrshim drejt vendit të ngjarjes, të afërmit e viktimave dhe të mbijetuarit kanë kujtuar atë që ndodhi në korrik të vitit 1995 në Srebrenica, një qytet në Bosnje Herzegovinën lindore, kur ushtarët serbo-boshnjakë të drejtuar nga gjenerali serb Mladić, masakruan 8000 burra dhe djem boshnjakë të fesë myslimane, një ngjarje e cila është cilësuar si gjenocid dhe masakra më e rëndë e ndodhur në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Më 11 korrik 1995 trupat serbe hynë në qytetin e Srebrenicës. 8372 burra dhe djem të moshës 14 deri 78 vjeç u ndanë nga gratë dhe nënat, për t'u pushkatuar dhe hedhur në varreza masive.

Ndërkohë që mbetjet e mbi 6.600 viktimave janë gjetur dhe varrosur afër Srebrenicës, të tjera trupa do të varrosen të shtunën më 11 Korrik në 25 vjetorin e masakrës.

Një vit më parë, Gjykata e Lartë e Hagës deklaroi përgjegjëse për masakrën, edhe forcat paqeruajtëse holandeze. Edhe pse përgjegjësia u cilësua si ‘e kufizuar’ për trupin gjykues ajo është ende një "përgjegjësi", që përfshin gjithashtu qeverinë e atëhershme holandeze, të kryesuar nga kryeministri Wim Kok dhe zyrtarët e lartë ushtarakë.

Gjenerali Mlladiç pasi rrethoi Srebrenicën me shumicë muslimane, hyri në negociata me komandën e trupave holandeze nën drejtimin e gjeneralit Ton Karremans dhe arriti ta bindë atë të dorëzojë 350 civilë boshnjakë myslimanë që kishin kërkuar mbrojtje në kampin e ushtrisë holandeze. Sipas vendimit të gjykatës, edhe pse ushtarakët holandezë “nxorrën me duart e tyre” para plumbave qindra të pafajshëm, Holanda është përgjegjëse vetëm për 10% të të vrarëve nga ushtria serbe. Në vitin 2017 Gjykata e Apelit kishte deklaruar se shteti holandez ishte përgjegjës për 30%. E teksa përqindjet e fajin ndryshojnë, dhimbja për viktimat e masakrës mbetet e njejtë…

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?