PL akuza për Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët: Muzhaqi merr 1 miliardë lekë buxhet çdo vit pavarësisht se institucioni nuk ekziston

23 Qershor 2023, 11:59| Përditesimi: 23 Qershor 2023, 13:17

  • Share

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL Silva Caka ka akuzuar sot kryeministrin Rama dhe kabinetin e ministrave, më specifikisht ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët drejtuar nga Bora Muzhaqi.

Sipas saj, nuk ka një Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët nuk ekziston dhe se ministrja merr nga buxheti i shtetit mbi 1 miliardë lekë çdo vit.

Caka shton se një ndër arsyet e largimit masiv të të rinjëve nga Shqipëria është korrupsioni dhe shpërblimi ndaj njerëzve që nuk kanë në fokus zhvillimin e Shqipërisë por interesat personale.

“Mbi 1 miliardë lekë në vit nga taksat e shqiptarëve, janë vjedhur nga Edi Rama dhe ministrat e tij vetëm në Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, drejtuar nga Bora Muzhaqi.

Raporti tematik i Kontrollit të Lartë të Shtetit në këtë Ministri, ka konstatuar një fakt shumë të rëndë për taksapaguesit shqiptarë dhe veçanërisht për të ardhmen e të rinjve dhe fëmijëve në Shqipëri.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Rinisë dhe Fëmijëve nuk ekziston, por në të vërtetë kjo ministri merr nga buxheti i shtetit mbi 1 miliardë lekë buxhet çdo vit.

Kjo Ministri u krijua me qëllim që të krijohet një treg dhe punë e mirëpaguar për të rinjtë dhe një fuqi e re në funksion të zhvillimit ekonomik, por realiteti i trisht i largimit masiv të përditshëm të të rinjve shqiptarë tregon të kundërtën.

Nga auditimi u konstatua se nga Ministria nuk janë ndërmarrë hapa për zhvillimin e kompetencave të rëndësishme për hartimin dhe publikimin e raporteve të vlerësimit mbi situatën e të rinjve, zbatimin e politikave dhe veprimtarive rinore, si dhe nuk janë monitoruar standardet për ndërtimin e hapësirave rinore të sigurta dhe të aksesueshme për të rinjtë.

Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, nuk ka hartuar, zhvilluar dhe monitoruar politikat, për marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës; sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës.

Largimi i të rinjve shqiptarë është pasojë e keqqeverisjes, korrupsionit dhe shpërblimit të një rrethi njerëzish, të cilët nuk kanë në fokus të punës së tyre zhvillimin e Shqipërisë.

Qeveria e skandaleve të shumëllojshme, ku mbizotëron korrupsioni dhe skandalet seksuale, vjedh edhe fëmijët e të rinjtë nëpërmjet një Ministrie që shërben vetëm si qokë për Borën dhe shoqet e saj, ndërkohë që Shqipëria fatkeqësisht plaket çdo ditë e më shumë.”- tha Caka.

Megjithatë, do duhet theksuar se së fundmi, ministrja Bora Muzhaqi ndonëse drejton një agjenci për të rinjtë, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh për t’i përfshirë në praktikat e reja të punës.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?