Piktori Abaz Hado çel ekspozitën “Arti tek biznesi” me 20 tablo abstrakte

19 Tetor 2020, 17:23| Përditesimi: 20 Tetor 2020, 17:01

  • Share

Dita-ditës artistët shqiptarë kërkojnë mundësi të reja për të promovuar artin e tyre në vend. Kësaj here piktori Abaz Hado çon artin tek biznesi, rreth 20 tablo me tematika nga jeta e përditshme në këtë periudhë pandemie që po kalojmë, si “Peizazhi dhe plazhi”, “Gjeli i zemëruar”, “Lule pranvere”, “Vjeshtë e vonë”, “Stacioni i autobusit”. Këto janë vetëm disa nga tablot abstrakte edhe surrealiste, nën kurimin e Pandi Madhit edhe Enea Jankos, të cilat vizitorët mund t’i shohin në hapësirat e bankës Credins në Tiranë.

 “Kjo ka të bëjë me një kërkesë timen, që artin e krijuar në kushte të vështira për shkak të pandemisë covid 19, t’ja çojmë publikun përmes një institucioni, siç janë dhe bankat. Unë kam ekspozuar 20 punime me një strukturë konceptuale të abstraksionit, por që synon të shkojë drejt origjinalitetit të këtij lloj. Një lloj arti që është pjesë e kërkimit tim, që do ta çojë nga figura në perceptim abstrakt, ku përmes harmonisë së ngjyrave trajtoj problematika që kanë në qendër familjen edhe të tretët”, thotë Hado.

Menaxheri edhe kuratori Pandi Madhi shprehet se kjo iniciativë ku arti bashkëjeton me biznesin, duhet që të kthehet në një lëvizje, e cila duhet të mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës

“Kjo gjë duhet diskutuar seriozisht dhe të shihet nga Ministria e Kulturës, duhet parë gjithë legjislacioni që t’i shërbejë promovimit të artit, edhe kështu forcohet aksepti ekonomik dhe kulturor i një vendi”, shprehet Pandi Madhi.

Piktori Abaz Hado ka çelur rreth 20 ekspozita brenda edhe jashtë vendit. 

Shqipëria është vëndi i qindra dhe mijëra artistëve të talentuar, të cilët sot kanë nevojë për mbështetje, ndërkohë që arti i tyre mund të krijojë më tepër frymëzim dhe t'i japë më tepër shpirt dhe gjallëri  biznesit dhe jetës së gjithë vendit. Këtë iniciative të re, banka Credins do ta vazhdojë më tej, me projekte të tjera interesante duke e kthyer në një traditë për bankën. Prej vitesh Banka Credins ka dhënë kontributin e saj në mbështetje të artit dhe kulturës shqiptare.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?