Piktorët shpërthejnë në karantinë, veprat e penelatave të njohura sfidojnë Covid -19

10 Prill 2020, 19:46| Përditesimi: 10 Prill 2020, 19:58

  • Share

Sytë e piktorëve dhe skulptorëve përgjatë një muaj të qëndrimit në karantinë për shkak të pandemisë COVID -19,  nuk po e prekin dot gjerësisht natyrën.

Ardhjes së kësaj pranvere të trishtë, mund t’i gëzohen vetëm nga dritaret apo ballkonet e shtëpive.  

Mund të duket sikur krijuesit e arteve pamore janë mësuar të vetëkarantinohen gjithë jetën nëpër studiot e tyre, si një shenje sakrifice për krijimtarinë, por nuk është kurrë e njëjta gjë.

Atyre u duhet të sfidojnë me forcën e mendjes dhe të shpirtit në kushtet e këtij izolimi të detyruar. Veprat e tyre po kulmojnë si një shenjë proteste kundër të keqes që ka pushtuar botën dhe si një homazh shprese për të ardhmen, jetën, pranverën që shpërthen tej shtëpive tona.

Piktori i njohur Buron Kaceli përpiqet të sjellë në tablo, diçka të bukur nga "Përtej dritares".

Albana Shoshi e tejçon përtej vështrimit të saj pranverën e shprishur me bula gjethesh e prush petalesh, aq sa s’mund të shoh gjë tjetër veç bardh.

Për piktoren Natasha Bega, veprat e krijuara gjatë situatës së izolimit nga COVID- 19 janë rikrijimi i shpresës për ta sfiduar të keqen. Për të toka e qielli nuk gabojnë kur diktojnë në krijimtarinë e saj SHPRESE. Tek pikturat e saj spikatin veprat e ringritjes në këmbë nga kjo situatë e rëndë pandemie.

Meri File që e zotëron aq mirë lapsin dhe penelin krijon metaforat e paradokseve të mëdha në art. Një kamera përballë një nudoje në fund të tunelit janë sikur qytet e zhveshura nga jeta dhe njerëzit që mund të rrëfehen vetëm nga sytë e kamerës

Violeta Kongo, piktorja e mëndafsheve na dhuron pranverën, shpresën, jetën, shpirtin e një fluture për të na gjallëruar kurajën dhe ëndrrat

Piktori Shkëlqim Kokonozi, artisti që i jep jetë dhe ndjesi të reja shpirtit të Tiranës, e mbështjellë vetminë e saj me mantele ngjyrash që burojnë dritë.

Moza Agolli sfidon karantinën, duke i vjelë të gjitha ngjyrat shpërthyese të pranverës nga shpirti dhe memoria e saj.

Ndërsa piktori Ardian Çene, nuk ka mjaftuar me muralet e shumta rrotull shtëpisë së tij, por shfaqet me tablo të reja mahnitëse, që pasurojnë albumin e tij artistik.

Piktori Helidon Haliti, që në foton e facebookut të tij ka lënë të kuptohet se po krijon në kohën e COVID -19, ka hequr maskat nga e brenda vetes. Ngjyrat e tablotë ndizen nga pasione të reja.

Tablotë apo veprat e krijuara gjatë periudhës së karantinimit flasin më shumë se fjalët.

Qëndro në shtëpi për të mbrojtur jetën është mesazhi i tyre. 

Peneletat më të ndjeshme dhe kreative kanë punuar shumë këto ditë, duke krijuar vepra nga më të bukurat , të mbushura me trishtime dhe emocion, me ngjyra plot patos, por ndonjëherë duke iu dorëzuar dhe ngjyrave të errëta...   

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?