Piktorët e vegjël, tradita që nuk shuhet në Lezhë! Fëmijët trashëgojnë dashurinë për artin pamor

6 Dhjetor 2020, 22:16| Përditesimi: 6 Dhjetor 2020, 22:25

  • Share

Është vetëm 14-vjeçe, por pasioni për artin pamor e ka bërë të jetë profesioniste në këtë fushë. Kejsi Pepkolaj nga Lezha e ka nisur rrugëtimin e saj në pikturë në moshën 4-vjeçare dhe sot nuk ka asnjë dallim me mjeshtrat e kësaj fushe. Ajo ka marrë pjesë në disa ekspozita dhe është vlerësuar me çmime në aktivitet kombëtare.

"Pikturën e kam nisur që në moshën 4-vjeçare duke u marrë me filma të animuar dhe mundohesha që t'i kopjoja ato", rrëfen 14-vjeçarja.

Natyra është ajo çfarë e frymëzon më shumë vajzën 14-vjeçare dhe çdo fundjave ia kushton punës në terren. Synimin për të ardhmen e ka të qartë, që të bëhet një piktore njohur brenda dhe jashtë vendit.

"Nuk kam diçka reale që me frymëzon, çdo gjë më frymëzon, natyra. Synimi im është që të bëhem një piktore e madhe, të marr pjesë në shumë ekspozita si në Shqipëri dhe jashtë vendit", thotë  Kejsi.

Ndonëse koha në këtë periudhë nuk është e favorshme për të punuar në terren, vendosmëria e Kejsit e ka sfiduar diçka të tillë. Vëmendja e saj është përqendruar tek prezantimi përmes penës i aseteve turistike dhe historike që ka Lezha.

"Vendosmëria e Kejsit për ta përfunduar këtë pikturë që ka nisur me seanca na bën dhe ne si prind të motivuar për ta mbështetur më shumë punën e saj", tha babai i Kejsit, Agostin.

Prej më shumë se 20 vitesh punon për përgatitjen e brezave në artin pamor me qëllimin që Lezha mos ta humbasë traditën. Ymer Metaliaj Përgjegjës i Galerisë së Arteve thotë se puna e tij ka pasur sukses, pasi shumë nxënës janë bërë mjeshtra të pikturës e deri pedagogë.

"Ashtu siç mua më mësuar pedagog e mi, e unë të jem një mësues për fëmijët e Lezhës e ka vërtetuar dhe shkollimi i tyre", shprehet Metaliaj.

Dëshira dhe pasioni që kanë fëmijët për artin pamor e obligon që puna e tij të mos ndalet.

"Kjo dëshirë dhe dashuri që kanë fëmijët për artin pamorë për detyron dhe mua që të jem i përgatitur si mësues që t'i mësoj si duhet", përfundon Metaliaj.

Pashk Përvathi, Martin Luca, Mikel Paluca e Ymer Metaliaj janë piktoret e njohur të Lezhës rruga e të cilëve po ndiqet dhe nga brezi i ri falë dëshirës së shumë fëmijëve që kanë për artin pamor.

 

E.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?