Më 8 tetor 1895 lindi monarku më jetgjatë dhe i fundit i shtetit shqiptar, Mbreti Zog. Sot në 126 vjetorin e kësaj dite trashëgimtari i tij Leka II, përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, vlerëson figurën e gjyshit të tij dhe rolin që ai pati në konsolidimin e shtetit shqiptar.
Sipas tij 50 vite me radhë në mënyrë sistematike, pa asnjë fakt, është hedhur baltë mbi periudhën e mbretërisë dhe më konkretisht mbi figurën dhe kontributin e Mbretit Zog. Sipas tij, Mbretit Zog iu ofrua mbajtja dhe trashëgimi i fronit nga Musolini, por ai e refuzoi dhe mbrojti integritetin dhe sovranitetin e vendit
Postimi i plotë i Princ Lekës:
Të dashur Miq,
Me rastin e përvjetorit të lindjes së Mbretit Zog, më 8 tetor 1895, kam kënaqësinë të kujtoj disa nga veprat e gjyshit tim ne dobi te Kombit tonë të bekuar.
Ka një hendek të madh mes mbretërisë si funksionim për jetën 11 vjeçare që pati, dhe historiografisë sonë, sidomos gjatë periudhës komuniste. Edhe sot pas 30 vitesh sistem pluralist,vijon ende kjo “hije e së shkuarës”.Mungesa e rivlerësimit real të historisë është një nga plagët e vendit tonë. Për 50 vite me radhë, në mënyrë sistematike, pa asnjë fakt është hedhur baltë mbi periudhën e mbretërisë dhe më konkretisht mbi figurën dhe kontributin e Mbretit Zog.
11 Vitet e Mbretërisë Shqiptare, megjithëse të pamjaftueshme për të realizuar vizionin afatgjatë të Mbretit Zog, i sollën vendit një dekadë prosperiteti, stabiliteti dhe arritjesh të mëdha në çdo fushë. Ishin pikërisht vitet e mbretërisë, ku takohej orienti me oksidentit dhe ku drejtimi perëndimor çoi në emancipimin e shoqërisë.
Mjafton të përmendim kushtetutën bashkëkohore, kodin civil dhe penal, pavarësinë e institucioneve, vlerën e pasaportës shqiptare që garantonte lëvizjen e lirë, vlerën e monedhës shqiptare, heqjen me ligj të ferexhesë, fillimin e reformës agrare, reformat e panumërta në arsim, bursat perëndimore, themelimin e sistemit shëndetësor, respektimin e lirisë së besimeve fetare, themelimin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare në 1936, vendosjen në Shqipëri të Kryegjyshatës botërore Bektashiane, respektimin e pronës dhe ekonomisë së tregut, ndërtimin e mijëra km rrugë e ura, ndërtimin e porteve detare dhe aeroporteve, fillimin e lulëzimit të kulturës dhe sporteve e shumë e shumë arritjeve gati të paimagjinueshme në kontekstin e kohës.
Mos harrojmë që shoqëria shqiptare dilte nga perandoria e shkërmoqur osmane me një mentalitet fisnor dhe të përçarë, me kontradikta të shumta. Mbreti arriti të krijonte një shtet të konsoliduar, administratë efektive, një gjyqësor të besueshëm dhe të pavarur, krijoi kushtet e favorshme për lirinë e shtypit etj.
Gjithashtu kontributi i tij është i pamohueshëm në ndërtimin e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera me arkitektët më të mirë të kohës. Sot e kësaj dite gjurma e tij në këto qytete na identifikon. Nuk mund të lë pa përmendur ndihmën dhe mbrojtjen e qindra familjeve hebre nga persekutimi nazist!
Kriza ekonomike botërore e vitit 1929 diktoi marrëdhëniet ekonomike të vendit tonë me shtetet fqinje. Pikërisht kur e gjithë bota shkonte në krizë, Shqipëria po ndërtohej! Por fashizmi, si një dallgë e sëmurë dhe e përbindshme, ishte i papërballueshëm për një shtet të vogël dhe të sapoformuar. Është e lehtë të gjykosh sot, në pozita komode, ku askush nuk na rrezikon përveç vetvetes. Në atë kohë, ekzistenca e shtetit tonë vihej ende në diskutim…
Familja mbretërore humbi çdo gjë pasi nuk pranoi pushtimin dhe vasalitetin e Shqipërisë. Mbretit Zog iu ofrua mbajtja dhe trashëgimi i fronit nga Musolini, por ai e refuzoi dhe mbrojti integritetin dhe sovranitetin e vendit. Ikja e tij u diktua nga parlamenti i kohës pikërisht për të mbrojtur këtë sovranitet. Nëse do të qëndronte dhe binte në dorën e pushtuesit, rrezikonte të ndodhte dorëzimi i sovranitetit me dhunë, siç ndodhi në Rumani, Bullgari dhe Belgjikë!
Është fatkeqësi që rezistenca ushtarake e Mbretërisë Shqiptare është mohuar nga historiografia. Trupat e Abaz Kupit kanë luftuar me trimëri, por në dallim nga bandat vëllavrasëse komuniste që i pasuan, ata luftuan pushtuesin!
Njerëzit e kthjellët arrijnë ta bëjnë dallimin mes të vërtetave historike dhe debatit të politizuar. Ky debat i politizuar ofrohet për ato pak vota nostalgjikësh të komunizmit. Gjithashtu e mendoj të qëllimshëm për të vazhduar shpëlarjen e trurit të opinionit dhe brezave të rinj. Por, shpëlarja e trurit është një rrezik për aq kohë sa njerëzit e marrin informacionin të gatshëm dhe të përpunuar, dhe nuk thellohen në lexime faktesh të historisë së tyre. Hedhja baltë mbi figurat shtetformuese dhe kontributet e tyre të pamohueshme është një akt antikombëtar!
Fatmirësisht elitat reale të vendit tonë nuk e kanë këtë problem, pasi kohën e mbretërisë e vlerësojnë si periudhën më të ndritur të shtetit shqiptar. Unë inkurajoj brezin e ri të interesohet seriozisht për historinë tonë të përbashkët, pasi duke njohur prejardhjen, rrugëtimin, sakrificat tona si komb, do të rigjejmë krenarinë mbi të cilën do të ndërtojmë të ardhmen.
Posht tradhetaret e kombit ..njerez te flliqur
PërgjigjuUrime nipit dhe sternipit te Esat Pashe Toptanit - ishalla ja shkruajne Epitaf marreveshjen me Nikolla Pashiqit.
Përgjigju