Përvjetori, Basha: Rinia të
marrë fatet e vendit në dorë

8 Dhjetor 2017, 13:15| Përditesimi:

  • Share
Në fjalimin e tij në përkujtimin e Lëvizjes Studentore, kryetari i PD Lulzim Basha i ka bërë thirrje rinisë që të ngrihet dhe të marrë në dorë fatet e vendit.

Basha ka deklaruar se, kur kanë kaluar 27 vjet nga rënia e regjimit komunist, Shqipëria ndodhet në periudhën më negative të tranzicionit, kalimi i së cilës sipas tij nuk mund t’i besohet qeverisë Rama.

“27 vjet nga rënia e komunizmit, liritë e shqiptarëve janë të kufizuara, sepse ata nuk votojnë dot të lirë, sepse dinjiteti i tyre është i mëpërkëmbur dhe ne vazhdojmë të mbetemi një nga kombet më të izoluara. Është e paimagjinueshme që sot në Shqipëri të flitet për një bandë trafikantësh injorantë e mizorë, të flitet si të luftojmë për të pastruar Parlamentin nga vrasës e përdhunues dhe të diskutojmë si të pastrojmë ekonominë nga paratë e krimit”, ka deklaruar Basha.

Duke akuzuar qeverinë se ia ka shitur vendin një grushti oligarkësh, Basha është shprehur se sot ndaj shqiptarëve ushtrohet një dhunë jo në emër të ideologjisë, si dikur, por në emër të lidhjeve të politikës me krimin.

Ndaj në këto kushte, kur shumë të rinj shohin sipas kreut të opozitës emigrimin si alternativë, Basha ka bërë apelin e tij.

“Ftoj rininë shqiptare të kthejmë sytë nga 8 dhjetori dhe të reflektojmë. Për shumë prej tyre, ëndrrat e 27 viteve më parë janë të njëjtat me ato të sotme. Nëse brezi i sotëm lufton si ai i mëparshëm, Shqipëria do të ecë përpara. Sepse Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për atë forcë e kurajo të 27 viteve më parë. Kjo sfidë është sfida e rinisë. Unë e di që ju, rinia, do ta merrni në dorë këtë mision. Ju bëj thirrje, mos zgjidhni largimin por përballjen”, ka thënë Basha.

G.F. / Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?