Personazh/ Tomorr Rogu, trajnuesi i kafshëve shtëpiake rrëfen pasionin për qentë: Më shtojnë jetën! Duhen trajnuar ndërmjet moshës 7 muaj dhe deri 1 vjeç

13 Nëntor 2023, 15:27| Përditesimi: 13 Nëntor 2023, 15:41

  • Share

Maks, një qen i rracës “Belgian Malinois”, 7 muajsh, është ende i pabindur. Pronari ia ka besuar, trajnuesit të njohur në qytet, Tomorr Dingu Rogu. E gjejmë 68- vjeçarin në lulishten e Beratit, ku po i mëson Maksit, komandatat bazë.

“Po bëjmë lojën me top dhe lojën me thes. Janë hapat e parë, për ta mësuar qenin që të të dëgjojë”, tha ai.

Tomorr Rogu nuk ka kryer shkollë për veteriner, por e mban lidhur me katërputroshët dashuria dhe pasioni. Kujton se kur ishte 9-vjeç, i Ati mbante qen gjuetie dhe atëkohë mësoi disa taktika që i vlejnë edhe sot.

“Babai kishte qen gjuetie. Që kur isha 9-vjec merresha me ta. Është pasion i imi i fëmijërisë. Kam 3 qen në shtëpi, të rracës Akita”.- tha Rogu.

Edhe pse në moshë pensioni, Tomorri vazhdon të punojë si trajnues i kafshëve shtëpiake, duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve që nuk kanë kohë të trajnojnë qentë e tyre.

“Ky është qen pastor belg dhe ma kanë dhënë ti mësoj me disa taktika të bindjes. Fillimisht  i psikologjis, mundohem ti heq veset dhe i mësoj si të sillen. Qentë duhet trajnuar ndërmjet moshës 7 muajsh deri një vjeç, se ndryshe bëhet e vështirë. Nëse janë moshë më e madhe, nuk të binden, njësoj si adoleshentët qe duhen mësuar që në fëmijëri se pas ata nuk binden”, thotë me të qeshur Tomorri.

Kalon dy orë në ditë duke stërvitur Maksin. Qëllimi është që brenda një muaji ti mësojë disa rregulla bazë të sjelljes.

“Tani është ende me qafore. Do një muaj kohë të mësojë të bindet. I bëj lojëra me thes, lojëra shpejtësia. I mësoj komandat ulu, ngrihu, etj”.- tha Tomorri.

Në Berat, si në mbarë vendin, gjithnjë e më shumë rritet interesi i qytetarëve për të mbajtur kafshë shtëpiake, si qen apo mace.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?