Përplasja e heshtur/KLSH i kërkon Kushtetueses rrëzimin e Kuvendit dhe qeverisë për ligjin e financimit të bashkive, pranohet shqyrtimi i padisë

18 Janar 2021, 16:19| Përditesimi: 18 Janar 2021, 18:41

  • Share

Një tjetër përplasje mes institucioneve kushtetuese ka përfunduar në dyer e Gjykatës Kushtetuese, e cila është funksionale që në fund të vitit 2020. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Gjykatës Kushtetues shfuqizimin e dy pikave në ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore, pas mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve në heshtje me qeverinë dhe Kuvendin. Bëhet fjalë për pikat 1 dhe 2, të nenit 50, të ligjit për financat vendore, të cilat parashikojnë detyrimin e KLSH për të audituar çdo vit financat e 61 bashkive. KLSH planifikon çdo vit auditimet në bazë të prioriteteve, riskut për abuzime të mundshme të institucioneve, ngjarjeve me ndikim negativ në besueshmëri etj.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e vlerëson si të papajtueshëm me Kushtetutën detyrimin që i ka vendosur Kuvendi për të audituar çdo vit nga ana financiare njësitë vendore. Nga ana tjetër, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave mbrojnë këtë parashikim ligjor. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese, ka vendosur paraprakisht në dhomë këshillimi me një trupë gjykuese me tre anëtarë, pranimin e kërkesës së KLSH, për të shqyrtuar në seancë plenare. Kjo do të thotë se Gjykata Kushtetuese do të dalë me një vendim, ku do të shprehet se cila nga palët ka të drejtë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur deri më sot pranimin e 26 kërkesave, për shfuqizime ligjesh dhe vendimesh, për t’i shqyrtuar në seancat plenare. Mes të tyre përfshihen mosmarrëveshjet mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta për dekretimin e ministrave, kërkesa e Ilir Metës për rrëzimin e ligjit që shembi Teatrin Kombëtar, zgjedhjet lokale të 30 qershorit, kërkesa e Fatmir Mediut për lejimin e mitingjeve dhe dasmave etj. Nga ana tjetër, Kushtetuese ka refuzuar 145 kërkesa për shqyrtim në seancë plenare, duke i rrëzuar që në dhomë këshillimi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?