Foto ilustruese

Përmirësohet punësimi por nuk arrin shifrat e 2019, probleme në bujqësi! INSTAT: Në fund të 2021 papunësia ishte 11.4%

10 Mars 2022, 14:57| Përditesimi: 10 Mars 2022, 15:20

  • Share

Shkalla zyrtare e papunësisë në fund të vitit të kaluar, rezulton të jetë 11.4% duke u ulur me 0.4% në raport me tremujorin e parë të vitit 2020, ndërsa në raport me tremujorin e tretë të vitit të kaluar kur ishte sezoni veror papunësia është rritur me 0.1%. Kjo rritje e lehtë e papunësisë në këtë periudhë lidhet me punësimet sezonale që ndodhin gjatë sezonit turistik.

Shkalla më e lartë e papunësisë sipas INSTAT është tek grupmosha 15-29 vjeç, me 20,6% duke pësuar rritje nga tremujori i tretë kur ky nivel ishte 19.9%.

Ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT shkalla e punësimit për popullsinë 15 deri 64 vjeç është rritur me 2.7% në raport me tremujorin e katër të vitit 2020.  Pavarësisht përmirësimit të punësimit, në raport me vitin 2019, janë më shumë se 10 mijë të punësuar më pak se në tremujorin e katër të vitit 2019, kur nuk kishte nisur pandemia COVID-19.

“Punësimi rritet me 7,5 % në sektorin e industrisë, me 7,2 % në sektorin e shërbimeve, ndërsa ulet me 5,3 % në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2021, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 0,3 %. Punësimi u ul me 1,0 % në sektorin e industrisë, me 0,2 % në sektorin e shërbimeve, dhe u rrit me 0,2 % në sektorin e bujqësisë”, thuhet në raportin e INSTAT.

Sipas raportit në tremujorin e katërt të vitit 2021 rreth 17,7% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune të moshës 15- 64 vjeç ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 10,1 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,2 % në paaftësi të përhershme.

Nga ana tjetër është ulur numri i qytetarëve që klasifikohen të dekurajuar për punë.

“Gjatë tremujorit të katërt 2021, 11,7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72,1 % të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 9,0 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 14,7 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe”, thuhet ndër të tjera në raport.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?