Shtyhet afati për të aplikuar për naftë pa taksa, deri sot kishin aplikuar 15.120 fermerë! Ministria e Bujqësisë: Afat deri në 30 mars

24 Shkurt 2021, 20:07| Përditesimi: 24 Shkurt 2021, 20:52

  • Share

Një ditë para se të skadonte zyrtarisht afati, Ministria e Bujqësisë ka vendosur të shtyjë deri në 30 mars afatin që kanë fermerët për të përfituar naftën e çliruar nga taksat. Burime nga ministria thonë se shkak për këtë vendim janë bërë kërkesat e shumta nga fermerët.

“Afati i fundit për aplikimin në Skemën e Naftës për Bujqësinë do të shtyhet deri në fund të marsit. Gjatë ditëve të fundit fermerë nga gjithë vendi po vijojnë me aplikimet në portalin e-Albania dhe zyrat e AREB-ve dhe kjo zgjatje kohore do të shërbejë që të gjithë ata që kanë NIPT-in e fermerit dhe dokumentacionin e nevojshëm, të kenë mundësinë të përfitojnë sasinë e naftës falas. Shkaqet janë të shumta, por kryesore janë kërkesa në këto ditë të fundit nga fermerët dhe për këtë arsye që ti jepet mundësia të gjithëve, u be kjo shtyrje deri më 30 Mars”, thotë ministria për Report TV

Deri sot në orën 16.30 minuta sipas informacioneve për naftën pa tre taksa, atë të akcizës, taksën e karbonit dhe të qarkullimit kanë aplikuar 15.120 fermerë.

Aplikimet janë hapur me 15 janar të këtij viti dhe konsistojnë në marrjen e naftës për të mbjellat e sezonit të parë. aplikimi nga fermerët bëhet në e-Albania dhe përfitues janë vetëm fermerët e regjistruar me NIPT.

Aktualisht janë 56.436 fermerë që janë të regjistruar dhe nëpërmjet aplikimit mund të përfitojnë naftën me çmim 56% më të ulët. Një litër naftë do të blihet me 80.4 lekë nga 160.8 lekë që ishte, vendim që është mirëpritur nga fermerët.

Dhënia e naftës pa taksa do të monitorohet për të shmangur çdo mundësi abuzimi. Për këtë vit qeveria pret që të përfitojnë 70 mijë fermerë me një buxhet prej 1 miliardë lekësh, por që vlera ndryshon në varësi të kërkesës për karburant.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?