Përjashtimet tatimore sjellin më shumë kosto se përfitime, BB: Mbështetja e bizneseve dhe familjeve në nevojë të mos bëhet me heqje taksash

20 Tetor 2023, 15:50| Përditesimi: 20 Tetor 2023, 16:01

  • Share

Miliona euro është humbja që pëson çdo vit buxheti i shtetit nga përjashtimet fiskale të miratuara për sektorë dhe kategori të caktuara.

“Përjashtimet fiskale pavarësisht se jepen për te nxitur sektorët ose kategori te caktuara ne shume raste rezultojnë ne kosto me te mëdha se përfitimet”, shprehet Hilda Shijaku ekonomiste e lartë e Bankës Botërore.

Teksa po punohet për paketën e re fiskale, ku disa favorizime të bëra ndër vite për bizneset do të hiqen, Banka Botërore ka bërë disa sugjerime për qeverinë.

'Banka sugjeron që të punohet me politikat e tjera që rrisin kompetivitetin e sektorit, pra sigurimi i një baze të qëndrueshme zhvillimi, ose në qoftë se bëhet fjalë për shtresat në nevojë të punohet me mbështetje për shtresat në nevojë, pra në kahun e shpenzimeve, dhe jo në kahun e të ardhurave sepse kjo përveç kostos që ndoshta nuk arrin targetin e synuar, ka dhe koston e një administrimi fiskal që kërkon me shume vëmendje, komplikohet pra kuadri i politikës fiskale”, thotë Hilda Shijaku ekonomiste e lartë e Bankës Botërore.

Përveç kostove për buxhetin e shtetit, përjashtimet fiskale hapin shtigje edhe për shtim të evazionit fiskal. Banka e Shqipërisë e pyetur nga Report TV mbi qarkullimin e lartë të parasë CASH në ekonomi thotë se duhet fillimisht të luftohet evazioni, për këtë arsye sugjeron thjeshtim të sistemit tatimor.

“Reduktimi i informalitetit kërkon përpjekje të mëtejshme për përmirësimin e kuadrit tatimor, kryesisht në drejtim të thjeshtimit të sistemit tatimor dhe uljen e përjashtimeve, si dhe reduktimin e evazionit fiskal”, thotë Banka e Shqipërisë.

Shifrat e Ministrisë së Financave, tregojnë se buxhetit të shtetit i mungojnë 86.4 miliardë lekë vetëm si pasojë e përjashtimeve tatimore, ku 83.1 miliardë ishin humbje nga përjashtimet nga TVSH-ja, 2.5 miliardë lekë janë nga tatimi mbi fitimin dhe taksat e tjera dhe 1 miliardë lekë janë humbjet nga favorizimet me akcizën.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?