Shëndeti

Përhapen masivisht virozat e stinës, mjeku për Report Tv: Shenja të njëjta me ato të COVID-it

11 Nëntor 2021, 17:55| Përditesimi: 11 Nëntor 2021, 18:03

  • Share

Korridori i qendrës shëndetësore këtu në Kombinat është i mbushur me qytetarë të prekur nga virozat e stinës.

Shumë prej tyre nxitojnë të alarmuar se mos janë prekur nga COVID-i. Për mjekun Besar Hysi shqetësimi i tyre është legjitim për shkak se shenjat janë pothuajse të njëjta.

"Këto ditët e fundit ka pasur një fluks të qytetarëve me viroza stinore dhe paraqiten te mjeku i familjes me simptoma të ndryshme me temperaturë që shkon deri në 38 e gjysmë, kollë, rrjedhje hundësh, dhimbje dhe skuqje fyti. Ka pasur edhe me dhimbje koke", tha Hysi.

Vetëm në këtë Qendër Shendetësore në javë kryhen afro 200 vizita. Në të gjithë Tiranën shifrat janë disa herë më shumë.

"Mesatarisht kemi rreth 40 vizita si qendër në total në ditë dhe si vizita javore mund të jenë rreth 200 apo edhe më shumë. Përgjithësisht kanë zgjaur 5-7 ditë por ka pasur raste edhe pak më tepër. Kryesisht janë grupmoshat 50-60 vjec por ka pasur edhe te grupmosha më të reja", u shpreh mjeku.

Pavarësisht se qytetarët ende nuk bëjnë diferencën, kjo periudhë është e ngarkuar më tepër me viroza sesa me virusin e gripit. Mjeku paralajmëron situatë tjetër më të rëndë nga ky virus.

Ka pasur po nuk ka qenë ndonjë fluks i madh sepse sapo ka filluar periudha dhe presim që në ditët në vijim të kemi shtim të rasteve me grip.

Përsa i përket të infektuarve me COVID, numri është relativisht më i ulët. Në një Qendër Shëndetësore nga 50 tampon që bëhen mesatarisht në ditë, 15 prej tyre dalin me koronavirus.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?