Kronikë

VIDEO/ Përfshihet nga flakët vendgrumbullimi i paligjshëm i mbetjeve te ish-Metalurgjiku në Elbasan, dyshohet i qëllimshëm

24 Nëntor 2021, 18:25| Përditesimi: 24 Nëntor 2021, 19:14

  • Share

Një tjetër vendgrumbullim i paligjshëm mbetjesh është përfshirë nga flakët këtë mbrëmje në Elbasan. Mësohet se vendgrumbullimi i paligjshëm i mbetjeve ndodhet në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik. Report Tv mëson se zjarrfikësja ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të shuar flakët, ndërsa dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Kjo nuk është hera e parë që mbetjet digjen në natyrë, duke shkaktuar kështu plagë mjedisore kancerogjene edhe pse ka impiante për përpunimin e tyre. Kujtojmë rastin e fundit në Fier, ku mbetjet urbane u dogjën dhe zona mbeti nën pushtetin e tymit. 

Si pasojë e flakëve dhe tymit të ngritur në ajër, shtëpi e biznese të shumta në afërsi të vendit të quajtur Mbrostar, u mbuluan nga tymi, gjë që ka shkaktuar jo pak shqetësim tek banorët.

Përgjatë sezonit veror, ngjarje të tjera u regjistruan edhe në Kavajë, jo shumë larg vijës bregdetare, por edhe në Vlorë dhe në vendgrumbullimin e mbetjeve në Laç.

Nga ana e kryeministrit Edi Rama ky fenomen është konsideruar si “ndotje e rëndë mjedisore”, ku në dy takime që ka mbajtur kohët e fundit me kryebashkiakët e vendit u ka kërkuar zgjidhjen e menjëhershme të çështjes së mbetjeve.

Kreu i qeverisë iu la edhe afat që fenomene të tilla të mos ndodhin më. Rama ka këmbëngulur se asnjë bashki nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë dhe mbetjet të shkojnë në inceneratorët e ngritur.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?