Përfaqësuesi ligjor i PD-së: Gjykata nuk e njeh Berishën, KQZ do regjistrojë anëtarët e Alibeajt për KZAZ-të! Ivi Kaso: Celibashi të njohë vendimin e Zhukrit

30 Janar 2023, 14:49| Përditesimi: 30 Janar 2023, 18:58

  • Share

'Lufta' mes dy grupeve brenda Partisë Demokratike tashmë është zhvendosur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku janë dorëzuar 2 lista me anëtarë të depozituar nën emrin e Partisë më të madhe opozitare në vend, por me dy vula dhe dy firma të ndryshme për zgjedhjet vendore të 14 majit. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Besart Logu foli për këtë çështje në Report Tv.

Në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Logu tha se KQZ do të regjistrojë anëtarët e KZAZ-së që janë dorëzuar nga Enklejd Alibeaj, pasi logon dhe vulën e Berishës nuk e njeh asnjë institucion.  

“KQZ duhet ti referohet kodit zgjedhur, bën parashikimin e ka shumë të saktë. Për regjistrimin subjekteve zgjedhore duhet të plotësohet një listë me dok, duhet një vërtetim nga gjykata e Tiranës se cili është kryetari i partisë dhe organet qendrore. Nga ana e PD janë plotësuar dokumentacionet, vazhdon konflikti se Berisha vazhdon me narrativen se ne jemi PD. Është e vetmja mundësi që ti mbajë pranë ndjekësit e tij. Jemi para një fakt që asnjë institucion nuk e njeh Berishën si kreun e PD, as kuvendi, as gjykata”, tha Logu.

Por Sekretari për çështjet zgjedhore në PD e Rithemeluar, Ivi Kaso thotë se KQZ duhet të vendosë vetëm mbi vendimin e 25 marsit të Agron Zhukrit që regjistroi në shkallë të Parë statutin, logon dhe vulën e Sali Berishës.

‘Këtu kemi një vendimmarrje të gjykatës që certifikon vendimet e kuvendit të dhjetorit 2021 dhe organet e reja drejtuese të PD-së, për shkak të interesimit të drejtpërdrejtë të kryeministrit dhe ndodh ajo që nuk ka ndodhur kurrë që një vendim i gjykatës të mos pasqyrohet në regjistrin e partive politike’- u shpreh Kaso.

Këtë argument, ai e mbështet edhe mbi bazën e një precedenti të 2019, kur KQZ regjistroi në zgjedhje Bindjen Demokratike, vetëm me vendim gjykate, i cili ende nuk ishte reflektuar në regjistrin e partive politike, por nuk ishte apeluar.

‘Ka mjaftuar një vendim gjykatë në të njëjtën mënyrë si ai që disponojmë në që i ka shërbyer për regjistrim një subjekti.’- tha Kaso.

Nga ana tjetër, sipas gazetarit Armand Maho grupi i Alibeajt duhet të tërhiqet nga ankimi që i kanë bërë në Apel vendimit për vulën e PD-së. Ai thotë se kjo situatë e krijuar mes dy PD-ve po i shërben Edi Ramës që të heqë vëmendjen nga skandali me zyrtarin e SHBA, Charles McGonigal.

“Po i japin një lloj ndihmese Ramës për të shmangur skandalin që i ka plas atje. Në vend se të merren me një çështje konkrete, ta tërheqin atë padinë se është turp i zotit, rrinë merren kush do i regjistrojë, që Alibeaj nuk gjente dot komisioner në Vorë. Ca lloj maskarade po luajnë. Në vend se ta tërheqin padinë dhe pesë njerëz që i kanë ngelur aty. Duhet të kishin një sjellje tjetër. Ose kërkojnë të imponohet me atë 2% për të bërë ato pazaret e veta politike, ose s’ka asnjë shpjegim tjetër”, tha Maho për Report Tv.

Mbetet për t’u parë nëse Ilirjan Celibashi do të veprojë njësoj si në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, kur i mbylli derën Sali Berishës pasi mori vendimin që të njihte përfaqësuesit ligjorë të Lulzim Bashës. Kjo detyroi Berishën që të bashkëpunonte me LSI-PDK, të cilët krijuan koalicionin "Shtëpia e Lirisë" dhe futën në garë kandidatët e zgjedhur nga ish kryeministri. 

Deri më tani, në gjykatën e Tiranës rezulton ende kryetar Lulzim Basha që dha dorëheqjen, ndërsa vendimi që pritet të ndajë përfundimisht se kush e ka drejtimin e partisë mes kryetarit të komanduar Alibeaj dhe Berishës, është ai i Apelit që deri më tani është shtyrë disa herë. Megjithatë, për të shmangur ngërçet e mundshme, gjykata duhet të vendosë të paktën deri më 6 mars kur është edhe afati i fundit për regjistrimin zyrtar të partive politike në KQZ për garën elektorale të 14 majit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ledi: 31/01/2023 16:27

    Vendimi I Zhukeit te oartise eshte sikue kete vendim ta nerrte Ivi Kaso vet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?