Përdorim i postit për fushatë, KQZ shqyrton 2 denoncimet e para!  Nis hetimi administrativ për deputetin e PS në Fier, Bujar Çela

8 Janar 2021, 09:55| Përditesimi: 8 Janar 2021, 12:37

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë denoncimet e para për përdorimin e administratës në fushatë zgjedhore ditën e sotme (8 janar). KQZ përmes një njoftimi zyrtar bën me dije se ka marrë dy denoncime për deputetin e PS-së në qarkun e Fierit Bujar Çela.

Gjithashtu është marrë denoncimi dhe për drejtorin e Kadastrës së Lushnjës, Arben Qalliu ku të dy ata akuzohen se kanë shpërndarë certifikata pronësie një ditë përpara Vitit të Ri. Denoncimi sipas KQZ-së, ka ardhur pas postimit të fotografive në llogaritë e Facebook të Çelës dhe Qalliut.

Për këtë arsye KQZ ka nisur procedurën administrative fillimisht ndaj drejtorit të Kadastrës së Lushnjës, i cili do të thërritet për të dhënë shpjegime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkeljen e vendimit nr.9, që ndalon përdorimin e administratës publike në fushatë elektorale.

“Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë raportuar dy denocime në ndërfaqen e “Aktiviteteve të Ndaluara”, në rubrikën “Kallëzo”,  për veprimtaritë e deputetit të PS, Qarku Fier, z. Bujar Çela, i cili ka publikuar në llogarinë e tij personale në Facebook disa foto me qytetarë të ndryshëm duke shpërndarë leje legalizimi të shtëpive të tyre në Njësinë Administrative Hyzgjokaj.

Bazuar në denoncimet e raportuara, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ditën e hënë, më datë 11.01.2021, ora 12:00, zhvillon seancën dëgjimore për shkelje të parashikuara në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me

Arben Qalliu, Drejtor i Drejtorisë Vendore i A.SH.K Lushnjë.

Bazuar në nenin 47 dhe 87 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, z. Qalliu ka të drejtën të paraqitet vetë ose me mbrojtës ligjor për të dhënë shpjegimet e tij, ditën e hënë, më datë 11.01.2021, në adresë Rr.Ibrahim Rugova, nr.4, Tiranë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

E.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?