Ish-deputeti i PD-së Luçiano Boçi

Përdhunimi i 15-vjeçares, Boçi akuzon qeverinë për nivelin e sistemit arsimor në vend: Mbush me dallkaukë insitiucionet

4 Qershor 2020, 14:18| Përditesimi: 4 Qershor 2020, 14:28

  • Share

Ish-deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka reaguar pas mbledhjes së “Aleancës së Grave Deputete”, ku Vasilika Hysi dhe Mimi Kodheli u shprehën se edhe sistemi arsimor është  fajtor për ngjarjen e përdhunimit të 15-vjeçares duke hedhur akuza të rënda për mësuesit. Ai fajëson qeverinë për vendosjen e mësuesve të papërshtatshëm në shkollë.

Ai thotë se për Vasilikën fajin e kishte “policia komunitare” që nuk lexon parrullat dhe ndoshta tek e fundit nuk di as të lexojë, se mbushja me dallkaukë e institucioneve bëhet me urdhër politik të saj dhe qeveritarëve “modernë”. 

Ndërsa për Kodhelin ai ka shtuar se një përdhunim e linçim i  tillë për figurën e mësuesit, nuk kisha dëgjuar, një urrejtje të tillë, për “ata” që rrezikojnë kështu pushtetin e tyre.
Kurse për kryeministrin Rama ai shprehet se ai flet me gjestet banale për mbrojtjen e së pambrojtshmes, duke marrë në mbrojtje dhunues me uniformë e pa uniformë dhe shumë me heshtjen e tij për rastin konkret. 

Postimi i plotë i Boçit:
Përdhunimi i nxënëses dhe “përdhunimi” i mësuesit. Ngjarja shokuese e përdhunimit të një nxënëseje 15-vjeçare nga roja i shkollës dhe bashkëmoshatarë të saj, ka tronditur mbarë opinionin. Rasti ndjek ngjarjet e tjera të Kavajës, të Fierit, të Tiranës dhe rënia e edukimit e dështimi i insitucioneve është ulëritës. Dhuna, përdhunimi, janë bërë tashmë një refren i arsimit tonë. Dhe akoma më ulëritëse janë bërë deklaratat e zinxhirit përgjegjës pushtetar për ngjarjen. Rama flet me gjestet banale për mbrojtjen e së pambrojtshmes, duke marrë në mbrojtje dhunues me uniformë e pa uniformë dhe akoma më shumë me heshtjen e tij për rastin konkret. Madje as i intereson fare. Ministrja e tij profane, bën analiza fluturake socio-filozofike, duke shmangur përgjegjësinë direkte të saj. Jo që është ajo që bashkë me paraardhësen e bashkë me Ramën, të cilët kanë degraduar deri në qelizë edukimin e arsimin! Kanë zhbjerrë vlerat, kanë instaluar të keqen e të shëmtuarën në shkollat tona, kanë rrëzuar përmbys mësuesin e kanë përdhosur misionin e tij. Shërbimi psiko-social është inekzistent, ndërsa insitucionet komunitare që merren me edukimin në bashkëpunim me prindërit në shkollë, nuk funksionojnë. Siguri nuk ka, sikurse nuk ka rregull e disiplinë qytetare. E nuk mbaron këtu “përdhunimi” i arsimit! Këto ditë duhet të dëgjosh e të durosh dhe shpikjet e deputeteve socialiste që përpiqen ta vërtisin fajin diku larg tyre, larg politikave të dështuara të Rilindjes e përgjegjësive të qeverisë për shkatërrimin e sistemit arsimor. Për Vasilikën fajin e kishte “policia komunitare” që nuk lexon parrullat dhe ndoshta tek e fundit nuk di as të lexojë, se mbushja me dallkaukë e institucioneve bëhet me urdhër politik të saj dhe qeveritarëve “modernë”.

Ndërsa për Mimin, fajin e kishin plotësisht mësueset. Pra këta mësuesit e dhunuar sistematikisht nga kjo qeverisje. Ish ministrja e mbrojtjes me siguri i ngatërroi me ushtaraket. Mësuesi ka faj tha Mimi, se lyhet, zhgërryhet, rregullon flokët e kuron paraqitjen, sepse nuk e ka mendjen tek ditari dhe nxënësi. Për Mimin mësueset duhet të ishin me muskuj, beqare të lashta, të veshura keq, sa më të egra, të shëmtuara e të zbatonin vijën përdhunuese të partisë, përndryshe ishin kot.
Madje Mimi, në nostalgji e sipër për kohët “e arta” të diktaturës, na sqaroi se para 50 vitesh kërciste telefoni nëse mungoje, a thua ti se kishin njerëzit telefona atëherë. Ndoshta e di që kishte celularë nga këto “smart” me të cilët ofrohet mësimi online i Shahinit. Një përdhunim e linçim të tillë për figurën e mësuesit, nuk e kisha dëgjuar. Një urrejtje të tillë, për “ata” që rrezikojnë kështu pushtetin e Ramës dhe Mimit nuk e kisha parë kaq bruto.  Mësuesi sot ka qindra probleme,  por ai nuk mund të akuzohet e të abuzohet për detyrat që sot i kanë ligjvënësit, ligjzbatuesit, drejtuesit e institucioneve shkollore e zinxhirit drejtues. Mësuesi nuk është “bedeli”, që sa herë zbulohet e keqja qeverisëse, të goditet e të përdhunohet sistematikisht e publikisht. Nuk është as varka, ku mund të shpëtojë karrigen e pushtetit Rama, Shahini & co. Përdhunuesit duhet të dënohen ligjërisht dhe me votë!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?