U vra nga kunati se i përdhunoi të bijën 9-vjeç në Greqi, varroset në Poliçan 33-vjeçari! Në varrim pak njerëz, banorja: S’falet tek fëmija!

12 Janar, 11:46| Përditesimi: 12 Janar, 17:24

  • Share

Në Poliçan kjo e premte nuk ishte një ditë e zakonshme. Në vendin e lindjes, iu dha lamtumira e fundit 33-vjeçarit të vrarë nga burri i motrës në Greqi, pasi ky i fundit zbuloi se i kishte përdhunuar të bijën prej moshës 9-vjeçare.

Në ceremoni mortore morën pjesë familjaret, por ra në sy mungesa e motrës, njëherësh bashkëshortja e autorit të krimit.

Edhe pse nuk mori pjesë në varrim, motra e tij për mediat greke, i doli në mbrojtje vëllait dhe i ktheu krahun burrit, duke thënë se nuk e besonte se kishte abuzuar seksualisht me vajzën e bashkëshortit të saj të dytë.

“Askush nuk ka të drejtë të vrasë askënd. Kam duruar gjithë këto vite. I rrita fëmijët e tij. Vajza e tij vinte në shtëpi dy herë në javë. Nuk besoj se vëllai im i ka bërë gjë asaj”, tha gruaja shqiptare që prej vitesh jeton në Greqi.

Ajo shkon edhe më tej me akuzat ndaj bashkëshortit 50-vjeçar.

“Ai nuk është njeri i mire, ishte ekspert në gënjeshtër. Unë që jetoja me të, e kuptova vonë. Ai nxehej kollaj, nuk ishte as baba i mirë, se i la fëmijët dhe doli për gjueti” thotë ajo.

Vetëm prindërit erdhën nga Greqia për të përcjellë në banesën e fundit. Pjesëmarrja e qytetarëve në varrim ishte e pakët. Fqinjët në Poliçan mbajtën qëndrim të ashpër ndaj veprimit të 33-vjeçarit.

‘Ai çun ka bërë shumë gabim tek ajo vajza. Unë si nënë që jam vetë se mua vëllai të më ndodhte një gjë e tillë ashtu unë e kisha vrarë vet më duart e mija, e kisha vrarë pa diskutim fare i kisha hequr kokën. Nuk gjykonja dot fare për arsye se ti vesh ti vajzës 9-vjeçe dhe duke e ditur se e ke tënden, i ati që e ka bërë atë proçkë ka bërë shumë mirë që e ka vrarë, e kërkoi një gjë të tillë. Ta them hapur nuk ta them mbyllur fare, të më kishte ndodhur mua... vallai e kisha vrarë vet nuk do të lija njeri tjetër që të vriste. Kur e kam dëgjuar këtë llaf jam prekur rëndë. Edhe djali im të jetë në atë gjendje nesër të vrasin. Se nuk i lejohet ke vet grua, nesër do të bëhesh me gocë, vet sikur të bëjnë ty nesër a të vjen mirë. Unë për fëmijën të vras, një pëllëmbë ti japësh fëmijës unë të vras.’- tha fqinja.

Në ceremoni mortore nuk mori pjesë as bashkëshortja, shtetase greke me të cilën 33-vjeçari kishte një fëmijë.

Ndryshe nga rrëfimi i saj, banorët e fshatit Argallasti në zonën e Volosit e përshkruajnë një burrë “të qetë, punëtor dhe familjar”. Ata thonë se 50-vjeçari ishte një njeri që përpiqej shumë për familjen dhe edukimin e fëmijëve që kishte nga dy martesat, pasi gruaja e parë i kishte vdekur në aksident rrugor në Greqi.

Për Report Tv, në një rrëfim ekskluziv, babai në moshë i 50-vjeçarit që pas vrasjes iu vetëdorëzua autoriteteve greke, thotë se për të, 33-vjeçari, që dikur e kishte parë me syrin e një djali të mirë, është një i pabesë që shkeli mbi miqësinë familjare.

‘Nuk e njihnim për të keq, e dinim njeri të mirë, por paska qenë maskara, të merresh me një fëmijë!’- tha ai.

Ngjarja e rëndë u bë publike në mediat greke. Siç raportonte ‘Protothema’, autori e kishte vrarë me arme gjahu, të cilën e kishte me leje, vëllain e gruas së tij të dytë dhe më pas ishte dorëzuar vullnetarisht në polici, duke rrëfyer krimin. 50 vjeçari kishte 3 vajza me martesën e parë, ndërsa me gruan e dytë kishte një djalë.

Vajza ka dëshmuar se ngacmimet seksuale kishin nisur në moshën 9 vjeçare 'dhe përdhunimet kanë ndodhur nga mosha 12 deri në 14 vjeç! Kohët e fundit viktima e shantazhonte se do t’i publikonte video dhe foto intime gjatë akteve të tij, duke i kërkuar një shumë parash, pasi ajo kishte filluar punë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?