Përcillet në heshtje për në banesën e fundit Zenepe Luka, bashkëshorti për Report Tv: Përballuam tritolin, por jo COVID-in! Pengu i saj

12 Shkurt 2021, 14:07| Përditesimi: 12 Shkurt 2021, 17:23

  • Share

VLORË- Ismail Luka ka gjetur forcën dhe pasi ka përcjellë në botën tjetër, gruan e tij, Zenepen, që u nda nga jeta për shkak të COVID, ka thënë disa fjalë për të, si një gazetare e zonja që ishte, por edhe një bashkëshorte shumë e mirë. Jeta e ka përballur këtë familje me shumë peripecira, e për pasojë nuk e kishte pritur kurrë që vdekja do i vinte nga një virus i pabesë. “E papritur”, e përshkruan vdekjen e Zenepes, Ismaili për mikrofonin e Report Tv.

“Ishte e papritur, filloi si një grip i zakonshëm dhe më pas u rëndua gjendja, bëri tamponin doli pozitiv, pastaj ikëm në Tiranë sepse i ra niveli i oksigjenit, dhe nuk u kthye më. Ajo ndenji një javë e sëmurë në shtëpi me mjekim, sipas protokollit. Jeta ka qenë shumë e vështirë, kemi përballuar edhe tritolin, qoftë edhe probleme të tjera, por kjo ishte e paimagjinueshme, nuk e prinim”, tha Luka, për gazetarin Armand Xhelili.

Zenepja iku me një peng që lidhej me profesionin e saj, gazetarinë, që nuk e ndali as pasi iu vu tritol për ta asgjësuar atë dhe familjen e saj në 1998.

“Pengu i Zenepes? Donte që të vazhdonte punën, kishte shumë punë e projekte, se një gazetare me eksperiencë kaq të gjatë i mbetën pa realizuar”, tregon ai.

Trishtim dhe dhimbjen, ia shton edhe më shumë fakti, që nuk mundi ta përcjellë Zenepen, ashtu si ajo e meritonte, mes njerëzve që e donin dhe e respektonin shumë.

“Na vjen shumë keq që s’ka njerëz sepse ne kemi 27 vjet që jetojmë këtu dhe të gjithë kanë pasur shumë respekt, por COVID-i na e bëri këtë. Unë e kam kaluar para 3 muajsh COVID, unë e kalova klasën, por ajo jo”, u shpreh Ismaili.

Zenepe Luka ndërroi jetë ditën e djeshme pas një beteje një javore me COVID. Zenepe Luka ishte një emër shumë i njohur, jo vetëm për qytetin e Vlorës, por në të gjithë hapësirën mediatike. Ajo ishte një gazetare që në vitin 1998 iu vu tritol në shtëpi, me qëllimin për ta asgjësuar familjen e saj, ku sipas saj sulmi ndodhi vetëm se ajo raportonte si gazetare atë që ndodhte ne realitet, që sipas saj nuk u ka pëlqyer kurrë qeverisë së atëhershme që drejtohej nga PD.

1613139343_zenepe.jpg

Zenepe Luka

 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?