Dritan Mehmeti, trajneri i Dinamos

Përballja me kryesuesit, trajneri i Dinamos: Kemi mungesa, futemi në fushë për fitore

15 Dhjetor 2023, 16:24| Përditesimi: 15 Dhjetor 2023, 16:25

  • Share

Dinamo dhe Egnatia luajnë nesër në orën 17:00 në "Niko Dovana" të Durrësit, për javën e 17-të të Superligës. Përpara ndeshjes foli edhe Dritan Mehmeti. Trajneri i Dinamos tha se të tijtë futen në fushë për tri pikë, paçka se kundërshtari është kryesues i renditjes.

Blutë e Dinamos vijnë nga humbja me Vllazninë dhe kërkojnë suksesin në "shtëpi". Me 19 pikë, Dinamo mban vendin e gjashtë, teksa Egnatia me 34 pikë është në vendin e parë të renditjes.

"Mungesat? Përveç Markut, që mungon, sepse është i skualifikuar me kartonë, janë kthyer Mija dhe Vokrri, por nuk janë gati për lojë. Pjesa tjetër janë ‘ok’ fizikisht.

Humbja me Vllazninë? Kemi bërë analizën e ndeshjes me Vllazninë. Sepse mund të mundesh, por varet dhe se si mundesh. Na ka ardhur keq, sepse kanë qenë disa situata që na kanë ndëshkuar, por ky është futbolli. Duhet të gabojë dikush që të fitojë dikush. Nuk është për t’u bërë dramë, duhet të nxjerrim mësime nga ajo ndeshje që të mos kemi situata të përsëritura.

Fitoret? Në këtë kampionat janë jetike pikët për të gjitha skuadrat, nga vendi i tretë e deri tek i fundit. Nuk e shikoj renditjen, shikoj çfarë mund të bëjë më mirë skuadra. Renditja do të shikohet në fund të kampionatit. Ka edhe shumë pikë, nuk ka përfunduar ende gjysma e kampionatit. Duhet të jemi të qetë, siç edhe natyra e Dinamos.

Rivali? Egnatia ka një skuadër të organizuar mjaft mirë, luan futboll të mirë. Të imponon ritmin e lojës, sepse i ka klualitetet. Do të bëjmë maksimumim për të respektuar Egnatian, por e nisim si të barabartë ndeshjen. Nëse e interpretojmë si duhet lojën, pastaj le t’ia lëmë fushës. Ne futemi për të bërë gjithmonë më të mirën”, tha trajneri Mehmeti mes të tjerash.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?