Erbim Fagu

Përballja klasike, Erbim Fagu sfidon Vllazninë: Tirana s'ka frikë, na duhen tri pikët

7 Maj, 11:58| Përditesimi: 7 Maj, 12:03

  • Share

Erbim Fagu, trajneri i Tiranës foli në prag të ndeshjes kundër Vllaznisë. Të mërkurën në orën 16:00 skuadrat takohen në "Air Albania" për raundin e 35-të dhe bardheblutë kanë nevojë më shumë se kurrë për pikë për zonën "Final 4", me shkodranët që e kanë siguruar tanimë.

Për humbjen në Laç Fagu ia vë fajin mungesave, teksa nuk ka frikë për përmbushjen e objektivave. Lushkja dhe Jonuzi do jenë dy rikthimet me peshë në ekipin kryeqytetas. Trajneri tregon se Najdovski ka mbyllur sezonin prej dëmtimit dhe Lulaj është jashtë për shkak të kartonave.

"Vllaznia - Ndeshje e vështirë duke parë edhe pozitat në klasifikim, si të Vllaznisë por edhe tonat. Patjetër do të jetë ndeshje e vështirë për t'u luajtur, por nuk kemi zgjidhje tjetër përveç 3 pikëve, bëjmë maksimumin për të shkuar drejt objektivit që kemi.

Problemet - Mungesat sigurisht, pasi dy lojtarë si Jonuzi dhe Lushkja janë dy lojtarë me peshë. Kështu është futbolli dhe tashmë e kemi lënë pas duke u fokusuar tek Vllaznia dhe mendojmë për të marrë tri pikët. Nuk duhet të frikësohemi pasi edhe dy ndeshje janë, llogaritë tani pakësohen, përveç fitores nuk na bën punë asgjë tjetër.

Historia ka treguar që janë gjithmonë ndeshje speciale mes Tiranës dhe Vllaznisë. Nuk na intereson pjesa e Vllaznisë duhet të shohim veten tonë, duhet të marrim maksimumin për të arritur në “Final 4″.

Ne shanset i kemi duke fituar ndeshjet tona, e rëndësishme është të marrim tri pikët me Vllazninë dhe të shohim në vazhdim. Najdovski e ka mbyllur sezonin, Latifi është kthyer në stërvitje me grupin, Lulaj nuk do të jetë për shkak kartonësh, pjesa tjetër është e gatshme", tha Fagu.

Tirana me 46 pikë mban vendin e gjashtë, një pikë më pak se Dinamo dhe Skënderbeu që janë në garë për "Final 4". Vllaznia me 58 pikë ndodhet e dyta, dy pikë pas Egnatias kryesuese dhe së bashku me Partizanin janë tre ekipet që matematikisht e kanë siguruar "Final 4". Tanimë gara bëhet vetëm për vendin e katërt.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares