Protestuan para bashkisë Berat, tregtarët ambulantë pas takimit me kryetarin: Nuk mund të presim burokracitë

22 Prill 2020, 10:13| Përditesimi: 22 Prill 2020, 11:20

  • Share

Në Berat tregtarët ambulantë të tregut industrial kanë mbajtur sot një protestë para bashkisë ku kanë kërkuar pagën e luftës, pasi sipas tyre prej 12 marsit nuk po e zhvillojnë më aktivitetin. Pas më shumë se një ore një përfaqësi prej tre tregtarësh është pritur në ambientet e bashkisë nga kryetari, me këtë të fundit, që i ka thënë tregtarëve se emrat e tyre ua ka dërguar Ministrisë së Financave, por nga ana tjetër tregtarët nuk e kanë pritur mirë këtë përgjigjje, pasi sipas tyre paga e luftës është emergjente për ta.

Para se të mbahej kjo mbledhje tregtarët u shprehën: "Ne që jemi mbledhur këtu jemi tregtarët e tregut industrial. Po bëjmë që në datën 12 mars që është mbyllur tregu dhe kërkojmë pagën e luftës këtu te bashkia. I vetmi burim jetesë është tregu, se punojmë burrë e grua. S'na kanë thënë gjë se kur mund të hapet tregu."

"Është hera e dytë që kërkojmë nga bashkia se jemi mes katër rrugëve. Që nga data 12 mars është mbyllur tregu dhe për ne nuk do t'ia dijë as administratori, as bashkia. Ne duam vetëm pagën e luftës që na premtoi kryeministri, i cili na urdhëroi të ulnim qepenat. Ne duam të mbajmë familjen. Ku t'i gjejmë të ardhurat, të dal të vjedh. Dua pagën e luftës. Ne po presim kryetarin e bashkisë, administratorin, e kush e drejton atë treg.

Unë kam marrë leje një orë e gjysmë që kam ardhur këtu, e si mund të shkoj në treg. Taksat ndërkohë i kemi paguar të gjitha,"-deklaron një tjetër.

"Ne kemi ardhur se jemi tregtarët teksil dhe na takon paga e luftës. Kërkojmë të drejtat tona, të marrim pagën e luftës si të gjithë. Nëse situata nuk merr zgjidhje do të vijojmë me protesta,"-shprehet një tregtare.

"Puna është mbyllur me urdhër të qeverisë, tani na kanë lënë në mëshirë të fatit. Kjo jo për fajin tonë, por për fajin e bashkisë e cila nuk na ka pajisur me një numër nipti apo siguracione, por ama nuk jemi në të zezë, se i paguajmë taksa bashkisë. Sa mirë zotërinjtë për votime vijnë e na gjejnë derën, sot na e mbyllin derën,"-thotë një tjetër tregtar.

Kujtojmë se që nga fillimi i pandemisë protestat janë të ndaluara, por duket se ky fat nuk mund të merret parasysh nga tregtarët ambulantë të Beratit.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?