Për të vulosur kualifikimin, Shqipëria sot më 18:00 përballet me Moldavinë! Sylvinho i beson formacionit fitues! Na duhet një pikë

17 Nëntor 2023, 09:34| Përditesimi: 17 Nëntor 2023, 13:13

  • Share

Do të ishte hera e dytë në histori. Shqipëria luan sot ndaj Moldavisë për të vulosur kualifikimin në kampionatin Europian të Gjermanisë. Kuqezinjtë janë të parët e grupit E kualifikues me 13 pikë dhe në tokën moldave mjafton vetëm një pikë për të hapur shampanjën. Në stadiumin Zimbru në Kishinau duke nisur nga ora 18:00 sytë , veshët e mbi të gjitha zemrat e shqiptarëve janë me djemtë e Kombëtares.

Trajneri Sylvinho i ka të gjithë të gatshëm dhe në formë të mirë. Ekipi zhvilloi dje stërvitjen e fundit dhe formacioni do jetë ai fitues. Berisha do mbrojë portën. Në mbrojtje nga e djathta në të majtë do luajnë Hysaj, Ismajli, kapiteni Gjimshiti e Mitaj. Asllani e Ramadani në mesfushë e pas shpinës së Cikalleshit do rreshtohen Asani, Bajrami e Seferi. Sylvinho kërkon kujdes ndaj një ekipi që në shtëpinë e tij nuk ka humbur por nuk firmos për barazim e llogaritë i bën me tre pikët.

“Të dyja skuadrat e nisin ndeshjen për fitore, barazimi vjen si pasojë e lojës. Nuk mund të menaxhohet ndeshja për një pikë. Është një finale për ne dhe karikimi është i duhuri. Moldavia është ekip i fortë në shtëpi, ka fituar me Poloninë dhe ka barazuar me Çekinë”, tha Sylvinho në konferencën e djeshme. 

Berat Gjimshitit në mendje i vjen festa e kualifikimit në Armeni 8 vite më parë.

“Duam të përsëritim mbrëmjen e Armenisë. Ka lojtarë këtu që nuk e kanë përjetuar. E dimë që jemi shumë afër kualfifikimit, por nuk duhet harruar rruga që kemi bërë këtu për ta bërë ëndrrën realitet. Të shkojmë të gjithë në një drejtim ndaj Moldavisë”, tha Gjimshiti.

Stadiumi do jetë në kapacitetin maksimal rreth 10 mijë e 500 tifozë nga të cilët rreth 700 mbështetëses të kuqezinjve. Misioni sot në Moldavi është i qartë , për të vulosur kualifikimin e për të shkruar sërish historinë. Ora 20:00 e mbrëmjes së sotme mund t’i gjejë shqiptarët në festë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Liku: 17/11/2023 14:00

    Nje pike e kemi te sigurt ne na duhen tre pikët fitore

    Përgjigju
  • ALB Patriot: 17/11/2023 12:46

    FORCA SHQIPËRIA! VETËM FITORE! Mos i dëgjoni "disfatistët" e "1 pikëshit"!

    Përgjigju
  • silvinjo: 17/11/2023 12:31

    suksese cunave forca albania

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?