Kuvendi i Shqipërisë

Për të pamoralshmit politikë

7 Shtator 2023, 12:06| Përditesimi: 7 Shtator 2023, 12:08

  • Share

Ata që mendojnë se morali, virtyti, e vërteta dhe koherenca janë pjesë e religjionit dhe jo sferës politike apo e veprimtarisë jetësore, përveçse për të mbështetur kameleonizmin e tyre, nuk kanë argumente të qenësishme të rrafshit filozofik.

Të vetmit filozofë që u vijnë ‘në ndihmë’ për sjelljen e tyre janë Niçja dhe Marksi.

Për këta dy, morali është një mjet për të kontrolluar masat dhe për të mbajtur të skllavëruar individin.

Niçja ‘shpiku’ Mbinjeriun, duke i dhënë rëndësi forcës dhe fuqisë, ndërsa Marksi ëndërronte për një revolucion të klasës punëtore, i cili do të krijonte një formë të re morali dhe virtyti.

Dihet se të dy janë inspirues dhe frymëzues të nazizmit dhe të komunizmit, dy prej ideologjive vrastare të shekullit XX.

Për filozofin e antikitetit grek, Sokratin, vetëm të moralshmit dhe të virtytshmit mund të qeverisin mirë.

Për dishepullin e tij, Platonin, qeverisja më e mirë është ajo e udhëhequr nga “filozofët mbretër”, të cilët janë të virtytshëm dhe të ditur.

Për Aristotelin, qeverisja duhet drejtuar nga “një klasë e virtytshme”.

Për filozofin romak, Seneka, “virtyti është themel i të gjithë jetës së mirë”. Për të një politikan i mirë nuk është vetëm për të sunduar, por edhe për të edukuar dhe për të ndihmuar qytetarët për të zhvilluar virtytet e tyre.

Për Ceiceronin, virtyti dhe morali janë thelbësore për qeverisjen e mirë dhe për stabilitetin e shtetit. Sipas tij, drejtësia dhe ligji janë të ndërlidhura me moralin dhe virtytin.

Për Mark Aurelius-in, virtyti dhe arsyeja janë të rëndësishme në udhëheqjen e mirë dhe në jetën e një individi.

Për Shën-Agustinin, morali dhe e mira janë të nevojshme në një botë të rënuar dhe të pasigurt.

Për Thomas Akuinin, qëllimi i politikës nuk është vetëm e mira e përgjithshme dhe mirëqenia materiale, por edhe zhvillimi moral dhe shpirtëror.

Për Dekartin, dija ka për qëllim të krijojë një sistem të qëndrueshëm të vlerave dhe të veprimit moral, sepse ai i sheh virtytet si ndihmuese për të jetuar një jetë të mirë dhe për ta kuptuar botën në mënyrë racionale.

Për Hobsin, morali dhe virtyti janë të rëndësishme, sepse ndihmojnë në mbajtjen e rendit dhe të stabilitetit social.

Madje, edhe për Makiavelin, i cili shpeshherë përmendet dhe argumentohet me të për veprimet amorale në politikë, ‘një udhëheqës i suksesshëm duhet të jetë i aftë të fitojë dhe të ruajë ‘mirënjohjen’ e popullit, gjë që mund të kërkojë një lloj ‘virtyti’ në sensin e aftësisë për të udhëhequr në mënyrë të efektshme dhe për të marrë vendime të mençura’.

Për Monteskienë, virtyti është një element i rëndësishëm i sistemit të bazuar në pjesëmarrjen e qytetarëve. Ai ka besuar se virtyti në politikë është i lidhur ngushtë me strukturat dhe format e qeverisjes. Sipas tij, një qeverisje e suksesshme dhe një shoqëri e drejtë janë të mundura vetëm nëse ka një ndërlidhje të mirëfilltë të moralit dhe të politikës.

Për Hegelin, morali dhe virtyti janë pjesë integrale e një sistemi të drejtë politik dhe shoqëror, dhe se roli i shtetit është të ndihmojë në realizimin e këtyre idealeve.

Për Tocquevillin, morali dhe virtyti janë elemente kyçe për funksionimin e suksesshëm të një demokracie.

Për Russell-in, virtyti dhe ndershmëria në politikë janë për t’u vlerësuar, ndërsa ka kritikuar politikanët që përdorin taktika të rreme dhe manipulative për të fituar apo ruajtur pushtetin.

Siç shihet, morali, virtyti, e vërteta, e ndershmja, nuk i takojnë vetëm kishës, xhamisë apo sinagogës. Politika nuk është vetëm ‘realiste’, por edhe e bazuar në disa vlera të qenësishme metafizike.

Ndonëse filozofët e përmendur, por edhe shumë të tjerë, kanë folur gjatë për temën e moralit dhe të virtytit, përzgjodha në mënyrë telegrafike vetëm një pjesë të tyre për të treguar se amoraliteti në politikë ka vetëm këtë emër, ndonëse mund të fshihesh pas gjethes së fikut.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?