‘Për Partizanin jap jetën!’ Tifozët në delir, festojnë titullin me këngë e valle: Në finalen e Champions-it luajmë me Milanin (VIDEO)

30 Maj 2023, 12:37| Përditesimi: 30 Maj 2023, 13:06

  • Share

Vërshëllima e trefishtë e arbitrit në ndeshjen e fundit të kampionatit gëzoi më shumë se këdo tifozët e Partizanit. Të kuqtë ishin të papërmbajtur dhe menjëherë pushtuan fushën e lojës, duke takuar nga afër idhujt e tyre. Mirëpo disa ishin më të veçantë, pasi titullin kampion e festuan me këngë dhe valle.

"Vallahi kemi kohë që e presim këtë titull sepse shumë herë na kanë ngrenë hakun. Herë arbitra, herë federatë e herë Armand Duka, por ia arritëm qëllimit. Sado ta ndalësh lumin ai është i furishëm dhe do ecë para. Si dallgë do ta çajmë se jemi KAMPIOOONNNN,”-u shpreh një tifoz.

 “Është një gëzim i paparë. Ne ndjekim një ekip me emra legjendë si Loro Boriçi, Panajot Pano. Me breza të tjerë si Safet Berisha dhe të tjerë. Me Gaz Demin ia arritëm qëllimit. A mendon se iu favorizoi arbitri këtë sezon, në ndeshjen Tirana-Bylis? Ne nuk jemi arbitra, jemi tifozë. Ne nuk na pyet njeri,”-tha një tjetër tifoz.

Dy tituj në kater vitet e fundit. Më i bukur ky apo ai me Skënder Gegën?

“Ky është titull më i bukur, por edhe Skënder Gega futi një frymë të re dhe ky brez është tani,"-deklaroi një tifoz.

Do luani në Champions League tani …

“Do luajmë në finale me Milanin. Janë dy skuadra të kuqe. Ka lezet e kuqja,”-tha një tjetër tifoz.

Sa vite keni që e ndiqni Partizanin?

“Unë që 1994 e ndjek në stadium,”-tha një tifoz.

“Unë kam 53 vite që e ndjek vetëm 128 ndeshje s’kam pa. Kam një kënaqësi të madhe se vdes për atë Partizanin,”-u shpreh një tjetër tifoz.

Në tribuna nuk munguan as ata tifozë të cilët kanë një jetë që e ndjekin Partizanin, por që titullin në stadium e festuan për herë të parë.

“Unë që në moshën 8 vjeç e kam ndjekur Partizanin, por kjo është hera e parë që e shoh në stadium duke fituar titullin. Më herët e kam parë vetëm në televizor. Më behet qejfi për Partizanin se ka ekip të mirë dhe ka ecur,”-tha një tifoz.

Ky ishte titulli i 17 në historinë e Partizanit, që pavarësisht se e mbylli sezonin me pikë të barabarta me Tiranën, e festoi titullin për shkak të përballjeve direkte.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?