Papa Françesku do t’u mundësojë grave të votojnë, për herë të parë, në një takim global të peshkopëve në tetor. Rregullat e reja të shpallura të mërkurën do t'u japin pesë motrave fetare të drejtën e votës në sinod, i cili është një organ këshillues papal. Përveç kësaj, Papa vendosi të përfshijë atë që dokumenti i Vatikanit e quan “70 anëtarët jo-peshkopalë që përfaqësojnë grupet e ndryshme të besimtarëve të popullit të Zotit".
Në të kaluarën, gratë lejoheshin të merrnin pjesë në sinode, organe këshilluese të papës, si auditore, por pa të drejtë vote. Burrat do të vazhdojnë të japin shumicën e votave në tubimin me ndikim.
Megjithatë, reformat shihen si një ndryshim i rëndësishëm për Kishën Katolike Romake, e cila ka qenë e dominuar nga meshkujt për shekuj. Papa do të zgjedhë 70 priftërinj, motra të rendeve, dhjakë dhe laikë katolikë nga një listë prej 140 personash të rekomanduar nga konferencat kombëtare të peshkopëve. Konferencat inkurajohen të përfshijnë të rinjtë. Vatikani kërkoi që 50 për qind e 70 klerikëve, të jenë gra.
Papa, i cili ka mbrojtur reformën, ka thënë se ai shpreson se gjysma e tyre do të jenë gra dhe gjithashtu ka pasur një theks në përfshirjen e të rinjve.
"Është një ndryshim i rëndësishëm, nuk është një revolucion," tha kardinali Jean-Claude Hollerich, një organizator kryesor i sinodit.
Rregullat e reja ndoqën dy hapat e mëdhenj që Françesku ndërmori vitin e kaluar për të vendosur gratë në pozita vendimmarrëse në Vatikan. Në njërin hap, ai reformën domethënëse që do të lejojë çdo katolik të pagëzuar, përfshirë gratë, të kryesojë shumicën e departamenteve të Vatikanit, sipas një kushtetute të re për administratën qendrore të Selisë së Shenjtë.
Vitin e kaluar, ai emëroi gjithashtu tri gra në komitetin, i cili më herët ishte tërësisht me burra, që e këshillon atë për zgjedhjen e peshkopëve botërorë. Për vite me radhë, grupet e grave në Kishë kanë kërkuar të drejtën për të votuar në sinodet e profilit të lartë të ngarkuar për përgatitjen e rezolutave, të cilat zakonisht çojnë në një dokument papnor.
Në vitin 2021, Françesku, për herë të parë emëroi një grua në pozicionin e dytë në autoritetet e Vatikanit, me çka motër Raffaella Petrini u bë gruaja e rangut më të lartë në shtetin më të vogël në botë. Në të njëjtin vit, ai emëroi murgeshën italiane, motrën Alessandra Smerilli, në pozicionin numër dy në Zyrën për zhvillim të Vatikanit, e cila merret me çështjet e drejtësisë dhe paqes. Ai emëroi gjithashtu Nathalie Becquard, një anëtare franceze e motrave misionare Xaviere, si bashkë-nënsekretare të departamentit të Vatikanit që përgatitë sinodin.