Për herë të parë në shtet, transplant i mëlçisë dhe pankreasit brenda vitit në Tiranë! ‘Mjekësia’ marrëveshje me 2 universitete italiane

25 Maj 2023, 17:05| Përditesimi: 25 Maj 2023, 17:09

  • Share

Shqipëria hedh hapat drejt realizimit të transplantit të mëlçisë dhe të pankreasit, për herë të parë në sistemin spitalor.  Një marrëveshje tripalëshe e firmosur në Romë mes universitetit të Mjekësisë në Tiranë, dhe dy universiteteve prestigjioze atje, pritet t’i hapë rrugë këtij synimi.

Por çfarë parashikon marrëveshja?
Report Tv mëson se me firmosjen e marrëveshjes tipalëshe, synohet që të rriten kapacitetet e mjekëve përmes bashkëpunimit mes universiteteve, në mënyrë që të realizohen transplantet edhe në Shqipëri.

Aktualisht në vendin tonë bëhet transplanti i veshkave por vetëm në spitalet private me financim 100% nga shteti.  Përmes marrëveshjes, synohet që edhe transplanti i veshkave të realizohet në shtet brenda vitit 2023, në ambientet e reja të spitalit të sëmundjeve të brendshme në QSUT.

Për transplantet e mëlçisë dhe pankreasit që pritet të realizohen për herë të parë në shtet në vendin tonë, bluzat e bardha do të shkëmbejnë përvojë me kolegët në Itali.

 “Kjo marrëveshje do të mundësojë shkëmbimet në fushën akademike dhe klinike, me përgatitjen e protokolleve në fushën e transplantit të veshkës, mëlçisë dhe pankreasit, formimin dhe fuqizimin e burimeve njerëzore, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit klinik, për të realizuar transplanet e organeve dhe asistencën e nevojshme për hartimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për dhurimin”, është shprehur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Marrëveshja e bashkëpunimit u firmos mes Universitetit të Mjekësisë së Tiranës nga Profesor Arben Gjata dhe dy Universiteteve prestigjioze italiane Tor Vetgata në Romë dhe Universitetit "G. D'Annunzio" të Chieti-Pescara.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?