Antonio Conte dhe Fabio Paratici

'Për Conten është kohë e vështirë, humbi tre miq', drejtori i Tottenham: I drejtë shkarkimi

29 Mars 2023, 13:48
  • Share

Antonio Conte u shkarkua pas më shumë se një viti nga stoli i Tottenham në Premier League. Trajneri italian e nisi mirë sezonin, teksa javët e fundit skuadra nuk po dilte te rezultatet e mira. Shkarkimi i tij edhe emërimi në stol i Cristian Stellinit është komentuar edhe nga drejtori sportiv, Fabio Paratici. Ai ka treguar periudhën e vështirë të Contes, nga humbja e tre miqve te operacioni.

“Ka qenë një sezon shumë i vështirë për Antonio Conte. Para pak javësh humbi jetën miku i tij Ventrone, më parë ishte Mihajlovic dhe Vialli. Në fund, iu desh edhe të operohej. Ishte një periudhë shumë e vështirë për Conten. Por, klubi e ka mbështetur gjithnjë edhe pse në fund duhej të merrnim një vendim së bashku. Ndarja erdhi me konsensus dhe mendoj se ishte vendimi i duhur për të gjithë", tha fillimisht italiani.

Më pas drejtori sportiv i Spurs u ndal edhe te emërimi në stol i Cristian Stellinit, ish-ndihmësit të Contes që ka shumë eksperiencë.

"Ka shumë eksperiencë si trajner i dytë edhe pse ka qenë i parë për disa kohë në të kaluarën. Megjithatë, në klub është edhe Ryan Mason që është prej vitesh pjesë e Tottenham dhe di gjithçka këtu te Spurs, ndaj mund ta ndihmojë Stellinin. Kam shumë besim te kjo dyshe. Sa i takon stërvitjes nuk do të ndryshojë asgjë sepse kanë mbetur edhe 10 ndeshje nga fundi i Premier League dhe nuk do të fitonim asgjë nëse ndryshojmë pasi nuk ka kohë mjaftueshëm", tha Paratici.

Më pas italiani foli edhe për tratativat për të afruar te Spurs ish-trajnerin e Bayern Munich, Julian Nagelsmann.

"Jemi të fokusuar vetëm tek Stellini dhe te fundi i sezonit sepse është shumë i rëndësishëm”, u shpreh Paratici.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?