Pengesa e radhës/Testi i fortë që
duhet të kalojë kryeprokurori i ri

10 Dhjetor 2017, 08:43| Përditesimi:

  • Share
Pasuesi i përkohshëm i Adriatik Llallës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme duhet t’i nënshtrohet kontrollit për ligjshmërinë e pasurive dhe pastërtisë së figurës. Teksa mes mazhorancës dhe opozitës ka nisur një debat i ri nëse kandidaturat për kryeprokuror duhet apo jo të kalojnë Vetingun, ligji jep një përgjigje të qartë dhe shteruese. Komisioni i Ligjeve, me vendim nr. 9, datë 07. 12, ka shpallur vendin vakant si dhe ka nisur procedurën për emërimin e një kryeprokurori të përkohshëm, deri kur të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Në vendimin e Komisionit të Ligjeve, pika 1, shkronja (a), thuhet se kandidatët për kryeprokuror duhet të përmbushin kriteret e kreut IV, seksioni I, të ligjit 97/2016, për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Neni 22, i kreut IV, seksioni I, të ligjit 97/2016, në të tjera parashikon që kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm duhet të kalojnë sukses verifikimin e plotë të pasurisë dhe figurës së tyre, sipas ligjit. Në nenin 22 pika 2, shkronja (a) të këtij ligji, nuk e saktëson se sipas cilit ligj duhet të kontrollohet pasuria dhe figura e kandidatëve, ndonëse për realizimin e këtij procesi ka vetëm një ligj, ai i Vetingut. Teksa debati mes palëve pritet të përshkallëzohet, cilido qoftë pasuesi i Llallës, ai duhet të kalojë këtë test.

Gjithashtu, kandidatët për kryeprokuror duhet të kalojnë edhe në filtrin e ligjit për dekirminalizimin, pra të plotësojnë kërkesat e ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Kandidatët duhet gjithashtu që të mos kenë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit si dhe agjentë të shërbimeve të huaja. Kandidatët duhet që të mos kenë qenë dënuar si dhe të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore. Të gjitha këto kritere dhe filtra pritet ta zgjasin në kohë procesin e emërimit të prokurorit të ri të përkohshëm. Ndërkaq, vendimi i Komisionit të Ligjeve ka parashikuar vetëm pesë ditë kohë për kandidatët për të aplikuar për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Ulsi Manja: Lista të martën
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka deklaruar se lista e kandidatëve do të publikohet ditën e martë. Duke shprehur besimin se aplikimet nuk do të mungojnë, Manja ka njoftuar edhe shpalljen e listës së kandidatëve me të përfunduar afati i dorëzimit të dosjeve.

“Sipas vendimit të Komisionit të ligjeve, të martën, me skadimin e afatit, ne do bëjmë publike listën e kandidatëve për këtë detyrë dhe menjëherë do caktojmë datën dhe orën e seancave dëgjimore”, ka thënë deputeti i PS. Ai ka shtuar se, pas kësaj komisioni ka dhe 2 ditë kohë për të bërë një vlerësim të kritereve dhe meritës për secilin nga kandidatët që do të jenë pjesë e kësaj gare. Ulsi Manja ka deklaruar gjithashtu se, prokurori i përgjithshëm i përkohshëm do të jetë ushtruesi i detyrës deri në krijimin e KLP-së, si organi i ngarkuar nga Kushtetuta për të bërë zgjedhjen e prokurorit të ri.

“Pra, do jetë prokuror i sistemit. Pastaj duhet të ketë 15 vjet eksperiencë si prokuror, të ketë kryer Shkollën e Magjistraturës, ose të ketë gradë shkencore në Drejtësi”, ka thënë Manja. Ai ka saktësuar se dy kriteret e fundit kandidati nuk duhet t’i ketë të dyja njëkohësisht. “Duhet të ketë 15 vjet punë dhe shkollën, ose 15 vjet punë dhe gradën. Sistemi ynë ka të tillë prokurorë dhe unë jam besimplotë se do të kemi”, ka thënë Manja.

kushtet

parlamenti

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?