Pelegrinazhi në malin e Tomorrit

Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, policia plan masash për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve gjatë festës 5 ditore

18 Gusht 2023, 12:30| Përditesimi: 18 Gusht 2023, 13:29

  • Share

Nga sot deri në 25 gusht, besimtarët bektashinj nisin pelegrinazhin në malin e shenjtë të Tomorit. Policia e Beratit ka marrë një sërë masash duke nisur me kufizimet në akset rrugore dhe devijim të trafikut për mjetet e tonazhit të rëndë.

Ky plan ka si objektiva: parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në malin e Tomorrit, pelegrinazh i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 20-25 gusht, 2023.

Mijëra qytetarë bëhen pjesë e pelegrinazhit në Malin e Shenjtë të Tomorrit në Berat. Festa e Shenjtë e Bektashinjve nis më datë 20 gusht dhe do të vazhdojë deri më 25 gusht.Çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth 300-400 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, bëhen pjesë e kësaj feste fetare.

Gjatë 5 ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndetin dhe paqen në familjet e tyre.Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Besimtarët ngrenë çadrat e tyre në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit.

PLANI I MASAVE:

-Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: “Hyrja e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut”.

-Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga mali i Tomorrit ( nga teqeja) do të jenë: “Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Rruga kryesore “Antipatrea” – Rrethrrotullimi i Kombinatit” dhe “Teqeja e Kulmakut – Novaj – Bogovë – Poliçan – Uznovë – Rruga kryesore “Antipatrea” – Rrethrrotullimi i Kombinatit”.

-Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohen të përdorin aksin rrugor “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja e Kulmakut” dhe anasjellas.

KUFIZIME:

-Për mjetet: Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë – Berat”, ”Ura Kuçit – Dimal – Berat”, “Pobrat – Dimal – Berat”, ”Berat – Mali i Tomorrit”, ”Berat – Çorovodë” dhe ”Çorovodë – Gjerbës – Mali i Tomorrit”, nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00 – 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.

-Autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut – Mali i Tomorrit”.

-Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë, dhe nuk do të lejohen parakalimet.

-Gjithashtu, janë të ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve, në akset rrugore. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qendrimi dhe parkimi i mjeteve.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?