Sot opozita publikon raportin final për reformën territoriale! PS e hapur për negocim vetëm me grupin e Alibeajt. PD-PS sa larg konsensusit?

2 Tetor 2022, 10:33| Përditesimi: 3 Tetor 2022, 08:43

  • Share

Komisioni për Reformën Territoriale çel siparin e kësaj jave në Kuvendin e Shqipërisë. Prej orës 09:00 të mëngjesit të së hënës, do të jenë ekspertët e opozitës, që do të publikojnë raportin e tyre final. Partia Demokratike, grupimi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, ka bërë tashmë të ditur se do të propozojë rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 92 bashki dhe uljen e numrit të qarqeve nga 12 në 6 rajone. Rithemelimi i Berishës, nga krahu tjetër kërkon 95 bashki dhe 5 rajone.

Mazhoranca që rrugën e negocimit e ka të hapur vetëm për grupimin Alibeaj ka artikuluar së fundi se mund të lëvizë vetëm me një numër të vogël bashkish, nga qëndrimi i saj i parë të mos prekur ndarjen me 61 të tilla, që është aktualisht.

E paqartë mbetet nëse harta e re territoriale do të jetë e vlefshme për zgjedhjet lokale të vitit 2023 apo për të 2027-ës, pasi koha për miratimin e tyre është në limite.

Por e hëna nuk ndalet vetëm tek territorialja, pasi në ora 15:00’ vijon punën edhe Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore. Pasi u mandatua në fillim të shkurtit, komisioni që bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj zhvilloi në qershor mbledhjen e parë, në gusht i mbaroi mandati 6 mujor, të cilin kuvendi në fillim të shtatorit e zgjati dhe me gjashtë muaj. Në mbledhjen e së hënës pritet që anëtarët e këtij komisioni të përcaktojnë kalendarin e punës dhe seancat dëgjimore.

Ndryshe nga “Territorialja”, zgjedhorja nuk ka presionin e kohës, pasi ndryshimet ligjore pritet të implementohen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Pasdite, prej orës 17:00 Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare. Deputetët janë të thirrur të ligjërojnë nga foltorja e kuvendit, problematikat e zonave të tyre pas javës së gjelbër që duhet ta kenë shfrytëzuar për takime me elektoratin.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?