PD-LSI mbledhin firmat,kërkesë
për ndryshimin e Kushtetutës

15 Janar 2018, 13:28| Përditesimi:

  • Share
Deputetë të PD dhe LSI kanë mbledhur firmat për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjin, në bazë të të cilit zgjidhet Prokurori i Përgjithshëm. 

Qëllimi sipas opoziitës është për t’i dhënë fund antikushtetueshmërisë së zgjedhjes së kryeprokurorit. Amendamenti parashikon zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm me 3/5 e votave në Kuvend dhe t'i nënshtrohet Vettingut, derisa të ngrihet KLP.

"Neni 1/ Pika 13 e nenit 179 të Kushtetutës ndryshon si më poshtë vijon: “13. Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i përfundon koha e qëndrimit në detyrë të nesërmen e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës së parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të ushtrohen nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm.

Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën e caktuar për zgjedhjen brenda 10 ditëve nga propozimi, kandidati i rendit i pari, që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar sipas ligjit, konsiderohet i emëruar. Kandidatët i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me procedurë të përshpejtuar dhe me përparësi ndaj të gjithë subjekteve të tjera të rivlerësimit.

Rregullat e detajuara për caktimin e prokurorit që do të ushtrojë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm dhe afatet për realizimin e procesit të vlerësimit të kandidatëve dhe rivlerësimit kalimtar të tyre përcaktohen me ligj”, thuhet në propozimin e PD.

Ndërkohë, PD ka vendosur të marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve për KLP, si dhe në të gjitha komisionet e tjera parlamentare.

PD mbledh grupin: Do kërkojmë dorëheqjen e Ruçit edhe në seancë
Partia Demokratike ka mbledhur këtë mesditë grupin parlamentar, vetëm pak orë para seancës së parë plenare për këtë vit, e cila nis sot në orën 17:00 sesionin e ri.

Në mbledhje është diskutuar pikërisht për seancën plenare, e cila është e para pas asaj së zgjedhjes së Kryeprokurores së re të Përkohshme, Arta Marku, mes protestave e tymuesve nga opozita. Edhe në mbledhjen e grupit, anëtarët e djathtë kanë kërkuar që prokurori i përgjithshëm dhe Kuvendi të kthehen në ligjshmëri. PD i është drejtuar Kuvendit me dy kërkesa, largimin e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe moslejimin e Arta Markut për shkarkime e lëvizje në organin e Akuzës.

“Prokurori i Përgjithshëm të kthehet në ligjshmëri. Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm nuk ka kompetenca për shkarkime dhe transferime. Mazhoranca po kap drejtësinë. Saimir Tahirit iu kthye pasaporta, Orest Sota u lirua nga burgu, po mbyllen çështja ‘Xibraka’. Është shkelur rregullorja, janë falsifikuar votat, Gramoz Ruçi të largohet nga drejtimi i Kuvendit, është dhunuar e drejta e opozitës për të folur”, mësohet të kenë thënë demokratët në mbledhjen e grupit.

Ndërkohë, grupi i PD ka firmosur kërkesën për kthimin e Kuvendit në ligjshmëri. 

d.c-l.q/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?