PD:Gjebrea udhëtoi më shumë
se 1 herë me makinën e Habilajve

25 Nëntor 2017, 13:42| Përditesimi:

  • Share
Partia Demokratike ka sulmuar ish-zv.ministren e Brendshme, aktualisht deputete e PS në Kuvend, Elona Gjebrea, pas të dhënave të sistemit TIMS, ku rezultonte se kjo e fundit kishte udhëtuar me makinën e Habilajve, bashkë me ish-ministrin Saimir Tahiri.

Deputetja e PD, Dhurata Çupi, deklaroi në një dalje për media se Gjebrea ka udhëtuar më shumë se njëherë me makinën e grupit kriminal, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge.

“Elona Gjebrea ka udhëtuar më shumë se një herë më makinën e Habilajve. Gjebrea sot duhet të përgjigjet: “A ndjen përgjegjësi morale e politike për lulëzimin e drogës në Shqipëri? Është koha që ajo të përballet me përgjegjësitë e veta”, tha Çupi. 

Deklaratë e deputetes së Partisë Demokratike, Dhurata Çupi​:
Deputetja Elona Gjebrea, krahu i djathtë i Saimir Tahirit për katër vjet në krye të Ministrisë së Brendshme, ka disa ditë që shmang pyetjen e thjeshtë, nëse ka udhëtuar në Greqi me makinën e vëllezërve Habilaj. Dje, ajo refuzoi me arrogancë t’u përgjigjet pyetjeve direkte të gazetarëve për këtë çështje. Arsyeja është e thjeshtë: Elona Gjebrea ka udhëtuar më shumë se një herë në makinën e drogës së Habilajve.

Prandaj Elona Gjebrea duhet që të sqarojë publikisht:

· Pse udhëtoi privatisht për në Greqi?

· Pse në këto udhëtime nuk mori makinën dhe shoferin e saj?

· Pse nuk udhëtoi qoftë edhe me makinën e saj private?

· Pse zgjodhi të udhëtojë me makinën e Habilajve?

Zonja Gjebrea duhet gjithashtu t’i përgjigjet pyetjes:

· A është takuar ndonjëherë me Habilajt?

· Nëse po, përse është takuar?

Zonja Gjebrea duhet gjithashtu të sqarojë opinionin publik:

· Si Koordinatore Kombëtare Kundër Trafikimit a ka qenë ajo e informuar për trafikun masiv të drogës dhe të armëve nga Shqipëria në Itali dhe Greqi?

· Cilët drejtues të lartë të shtetit ka informuar?

· Çfarë masash ka marrë ajo për këtë gjë?

Si deputete e Kuvendit të Shqipërisë ajo sot duhet të përgjigjet edhe për një pyetje tjetër:

· A ndjen kjo përfaqësuese e popullit ndonjë përgjegjësi morale dhe politike për lulëzimin e krimit dhe të drogës në Shqipëri gjatë katër viteve që ajo ishte numër 2 i Ministrisë së Brendshme?

Është koha që Elona Gjebrea të përballet me përgjegjësitë e veta. Krimi në Shqipëri lulëzoi, se me të u bë palë direkt apo indirekt e gjithë qeveria, përshi Elona Gjebrean. Cilado qoftë apo jo përgjegjësia penale e Elona Gjebreas, sot është dita që ajo t’i kërkojë falje popullit të saj dhe të bashkëpunojë me drejtësinë.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?