Demokratët: Punët publike, jo nga kompani offshore! Deputeti Agron Shehaj depoziton projektligjin në Kuvend

9 Tetor 2022, 16:25| Përditesimi: 9 Tetor 2022, 17:28

  • Share

Ashtu sikurse kishin paralajmëruar disa ditë më parë, demokratët e Rithemelimit depozituan në Kuvend një projekt-ligj, që nëse do të merrte miratimin e ligjvënësve, do të skualifikonte automatikisht kompanitë offshore, për të cilat nuk është i mundur identifikimi real i pronarëve përfitues, që të kryejnë punët publike përmes PPP.

“Kontratat publike duhet t’i nënshtrohen një procesi përzgjedhjeje të Partnerit në Sektorin Publik, duke mundësuar identifikimin real të çdo individi, bazuar në akte apo dokumente zyrtare, të konfirmuara nga organet kompetente,  që zotëron, në çfarëdolloj mase, aksione/kuota të kapitalit ose interesa të tjerë, në personin juridik i cili do të përfitojë nga fondet apo pasuria publike”.- thuhet në projektligj.

Nisma ligjore e deputetit Agron Shehaj, kërkon që edhe kur përfitojnë një kontratë publike, gjatë afatit të zbatimit, kompanitë kanë detyrimin që të përditësojnë të dhënat e pronarëve përfitues kur ata ndryshojnë.

“Partnerët në Sektorin Publik, që kanë përfituar një kontratë publike, gjatë afatit të zbatimit apo efekteve të saj, kanë detyrimin që të përditësojnë të dhënat e pronarëve përfitues, brenda 20 – ditëve kalendarike nga dita kur këto të dhëna kanë ndryshuar. Nëse kanë një kontratë publike aktive, që nëpërmjet personave të autorizuar prej tyre, të komunikojnë çdo fillim viti, brenda datës 31 janar në regjistrin e pronarëve përfitues apo pranë autoriteteve përgjegjëse, sipas rastit, pronarët përfitues efektivë që rezultojnë të tillë në datën 31 dhjetor të vitit të sapo mbyllur.”- thuhet në projektligj.

Për këtë projekt-ligj PD e Rithemelimit i shtrin dorën edhe deputetëve socialistë që ta votojnë, pasi sipas tyre, do të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike, do të ndalojë përfitimin e fondeve dhe pasurive publike nga deputetët, zyrtarët, personat e lidhur me kompanitë offshore apo dhe të personave që janë të dënuar penalisht. Kjo nismë ligjore vjen pas akuzave të vazhdueshme të opozitës se pas kompanive guackë fshihen pushtetarë dhe qeveritarë.

(Kliko këtu) Projetligji i propozuar nga Agron Shehaj për ndalimin e kompanive offshore që të përfitojnë kontrata publike

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?