Foto ilustruese

Politikë

PD denoncon: Në Pukë u zbulua parcelë kanabisi, ndaluan një polic, por e liruan se është kushëri i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit

4 Gusht 2021, 19:09| Përditesimi: 4 Gusht 2021, 19:11

  • Share

Partia Demokratike ka denoncuar se një oficer i policisë gjyqësore në Pukë është kapur me parcelë kanabis por ndaj tij nuk po merret asnjë masë pasi është kushëri i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit. PD shkruan se RENEA ka zbuluar një parcelë me kanabis në zonën e Pukës, dhe sipas PD është ndaluar oficeri i policisë gjyqësore Kastriot Bicukaj. Sipas PD kjo çështje duhej t'i kalonte SPAK, por ky oficer është lënë i lirë pasi është kushëri i Fran Tucit, kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit.

"Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta ndaj trafikut të drogës, që cenon rendin dhe sigurinë, është mision i Partisë Demokratike. Në këtë përballje nuk jemi vetëm, por kemi mbështetjen e qytetarëve dhe policëve të ndershëm, që ndihen të braktisur nga regjimi që bashkëpunon me krimin. I tillë është denoncimi që na ka ardhur sot mbi ndërhyrjen e forcave RENEA në zonën e Pukës. Operacioni ka zbuluar një parcelë të madhe të mbjellur me kanabis, në kuadër të po këtij operacioni është ndaluar oficeri i policisë gjyqësore Kastriot Bicukaj. Kjo çështje duhet t’i kalonte menjëherë SPAK, por oficeri është lënë i lirë duke e kaluar çështjen pranë Prokurorisë së Pukës, falë mbrojtjes politike që ai gëzon prej kushëririt të tij Fran Tuci, kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit", thuhet në njoftimin e PD.

Partia Demokratike shkruan se ky rast nuk është bërë publik nga Policia e Shtetit,  i bën thirrje SPAK të nis hetimet për rastin e Pukës.

"Ky operacion, i cili nuk është bërë ende publik nga Policia e Shtetit, dëshmon edhe njëherë se kanabisi është ende një çështje në duart e atyre që e kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe se askush nuk ndalohet nëse pas rrënjëve të bimës narkotike shfaqen persona të lidhur me partinë-shtet. Vendi ynë renditet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si i pari në Europë për prodhimin e kanabisit, pikërisht prej vullnetit politik që e kthen kanabisin në një ndërrmarrje të përbashkët midis krimit dhe partisë në pushtet, ndërsa policinë e shndërron në mbrojtëse të parcelave, apo siç dëshmon hetimi i Antimafies Italiane, duke i përdorur forcat e rendit si punëtorë krahu për ngarkimin e gomoneve me drogë. Prej vitesh Partia Demokratike ka denoncuar me fakte modelin e bashkëpunimit me krimin të ndërtuar nga Edi Rama. Koha na ka dhënë gjithmonë të drejtë, prandaj nuk duhet pritur që detyrën e institucioneve shqiptare ta kryejnë partnerët ndërkombëtarë, por është detyra e SPAK të marrë në dorë këtë hetim të penguar nga partia në pushtet. Çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit kërkon një drejtësi reaguese, të gatshme t’u kthej besimin qytetarëve dhe policëve të ndershëm që pengohen në kryerjen e detyrës së tyre", shkruan PD.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?