Politikë

PD: Çuçi nuk mbajti përgjegjësi, ua hodhi fajin viktimave! Ndarja e politikës nga krimi, e vetmja rrugë për siguri

28 Qershor 2021, 14:15| Përditesimi: 28 Qershor 2021, 14:34

  • Share

Deklaratën e Ministrit Çuci për ngjarjet e fundit kriminale në vend, Partia Demokratike e sheh  si përpjekje për të deleguar përgjegjësinë. Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, tha në një deklaratë për mediat se qeveria po ia hedh fajin viktimave dhe se qytetarët e pafajshëm po paguajnë faturën e bashkëpunimit midis politikës dhe krimit.

"E dëgjuam zëdhënësin e regjimit Rama-Doshi teksa lante duart me kapitullimin e rendit dhe sigurisë në vend. Fjalë dhe vetëm fjalë nga ata që kanë rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë. Për zëdhënësin e regjimit në ministrinë e brendshme, fajin e kanë shqiptarët, fajin e kanë viktimat, fajin e kanë familjet shqiptare që jetojnë në ankthin e breshërisë së radhës apo përgjakjes së radhës, por kurrsesi ata që të vetmen strategji kanë “hëngshin kokat e njëri-tjetrit’. Fatkeqësisht, përveç gjunjëzimit para krimit, ata nuk kanë çfarë t’ju ofrojnë shqiptarëve", tha Alibeaj.

Sipas tij, modeli që qeveria ka ndërtuar ndër vite është ai i kriminalizmit të institucionve, ndërsa theksoi se ndarja e politikës nga krimi, është e vetmja rrugë për siguri.

"Modeli që kanë ndërtuar ndër vite është ai i kriminalizmit të institucioneve dhe të politikës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin me çdo çmim. Me krimin dhe për krimin. Faturën e këtij bashkëpunimi të pështirë midis politikës dhe krimit, po e paguajnë familjet shqiptare, sepse një pushtet i marrë me krimin, nuk vret vetëm demokracinë, por vret të pafajshëm në çdo cep të Shqipërisë.  Pa u goditur ky model, pa u zhbërë aleanca midis regjimit Rama-Doshi dhe krimit të organizuar, pasiguria do të mbretërojë në çdo shtëpi, në çdo rrugë, në çdo lagje dhe në çdo qytet. Partia Demokratike, bashkë me shumicën e shqiptarëve që në 25 prill votuan për largimin e këtij regjimin dhe fundin e modelit të politikës të lidhur me krimin, do të vazhdojë luftën për ndarjen e politikës nga krimin, për kthimin e legjitimitetit në vend, si të vetmen rrugë për të garantuar rend dhe siguri për familjet shqiptare", shtoi Alibeaj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?