Pavarësia, mesazhe inkurajuese 
nga BE, urime edhe nga Kina

28 Nëntor 2017, 16:12| Përditesimi:

  • Share
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë këtë të martë një sërë mesazhesh urimi nga homologët e tij, me rastin e 105-vjetorit të Pavarësisë. Në letrën e tij, presidenti amerikan Donald Trump vlerëson se, mes dy vendeve ka patur një bashkëpunim të thellë për çështje me rëndësi ndërkombëtare dhe shpreh bindjen se ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ju falënderojmë për rolin tuaj si partner vendimtar në promovimin e qëndrueshmërisë rajonale dhe luftën kundër ekstremizmit, si dhe mbështetjen tuaj anembanë botës, si një Aleat i NATO-s dhe vend anëtar i koalicionit për Shkatërrimin e ISIS-it”, ka deklaruar Trump.

Ndërsa homologu italian, Mattarella e ka vënë theksin tek takimi i fundit i zhvilluar mes tij dhe Metës në Romë, që konfirmoi sipas tij statusin “e shkëlqyer” të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas presidentit italian, takimi konfirmoi “forcën e lidhjeve të miqësisë dhe të afërsisë që bashkojnë dy popujt dhe mbështetjen e fortë të Italisë në rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë”.

Në të njëjtat linja, sa i takon procesit të integrimit është shprehur edhe kreu i shtetit gjerman Frank Walter Steinmeier. “Të jeni i sigurt se Gjermania do të vazhdojë të jetë e angazhuar si vend mik dhe partner në krah të Shqipërisë, në rrugën e saj të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Garanci në këtë aspekt ka ofruar edhe presidenti helen Pavlopoulos, i cili mes të tjerash ka shprehur dhe “vendosmërinë dhe gatishmërinë për t’i promovuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe në dobi të dy popujve tanë dhe të të gjithë rajonit”.

Urime kanë ardhur edhe nga liderët e vendeve fqinje të Ballkanit, ndërsa më të veçantat kanë qenë ato nga Azia, ku ka spikatur presidenti i Kinës, Xi Jinping. “Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kinezo-shqiptare dhe dëshiroj të bëj përpjekje bashkë me Ju për nxitjen e zhvillimit të vazhdueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve miqësore midis Kinës dhe Shqipërisë, që t’u sjellim më shumë të mirën dy vendeve dhe dy popujve tanë”, ka thënë Jinping.

Mesazhe urimi presidenti Meta ka marrë edhe nga perandori i Japonisë Akihito, mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, mbreti i Suedisë Carl XVI Gustaf R, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, presidentja e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuèiã, presidenti i Indisë, Ram Nath Kovind, presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev e shumë personalitete të tjera botërore.

G.F./ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?