Pasuritë e paluajtshme BSH:
'Çmimet e shtëpive, ulje 17% në vit'

9 Tetor 2014, 07:46| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Banka e Shqipërisë konstaton për tremujorin e parë të këtij viti një situatë të përkeqësuar të tregut të pasurive të paluajtshme. Sipas Raportit të Stabilitetit Financiar të vendit për gjashtëmujorin e parë të vitit, BSH konstaton se, në lidhje me çmimin e banesave, indeksi i çmimit të tyre në rang vendi tregon rënie me 1.8% ndaj fundit të vitit 2013 dhe me 16.8% ndaj të njejtës periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, edhe verësimet për tremujorin e dytë 2014 janë negative (balanca neto), duke reflektuar ulje të mëtejshme të çmimit të banesave. Por balanca neto negative paraqitet më e zbutur se fundi i vitit 2013 dhe vlerësimet janë më optimiste ndërkohë për pronat në bregdet. E njëjta ecuri vërehet për çmimet e pronave tregtare.
 
Shitjet
Përsa i përket ecurisë së shitjeve të pronave, 67% e operatorëve të intervistuar nga BSH raportuan mungesën e shitjes së ndonjë banese, vlera më e lartë kjo, që prej fillimit të këtij vrojtimi. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, ky raport ishte 51%. Në rastin e pronave tregtare, madje, gjendja shfaqet më e përkeqësuar, pasi shumica dërmuese e të intervistuarve (92%) kanë raportuar mungesë totale shitjesh në tre muaj.
Në lidhje me pritshmëritë për të ardhmen, për tremujorin e tretë të vitit, situata e përgjithshme në tregun e pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin pritet më pozitive. Për Tiranën, agjentët mbeten skeptikë, ndonëse më pak pesimistë se më parë. Në një perspektivë më afatgjatë, agjentët janë optimistë, duke raportuar pritshmëri më të larta, me një balancë neto pozitive.
 
Qiratë
Ndërkohë, në qershor 2014, Indeksi i Çmimit të Banesave dhe ai i Qirasë kanë treguar kahe të ndryshme zhvillimi në terma vjetorë. Ndërsa Indeksi i Çmimit u ul, ai i Qirasë u rrit me 11%. Pra, qytetarët dhe bizneset janë më pak të interesuar të blejnë.
 
Kredia
Në gjysmën e parë të vitit 2014, sipas raportit të BSH, sektori bankar dha kredi të re në masën 126.1 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 20.4 miliardë lekësh. Për të njëjtën periudhë, sektori bankar mblodhi kredi në masën 126.6 miliardë lekë, nga 103.7 miliardë lekë të mbledhura një vit më parë.

Kredia e re për qytetarët ra me 2.1% vit pas viti, për shkak të rënies së kredisë së re akorduar “për pasuri të paluajtshme” me rreth 17%.
Ndërkohë, ka vijuar edhe këtë gjashtëmujor prirja rënëse në normat e interesit të kredisë së re për të tri monedhat kryesore. 

60% e qytetarëve deklarojnë se marrin hua jashtë bankave
 
Në raportin e Bankës Qendrore konstatohet se aktualisht familjet shqiptare po sigurojnë më pak të ardhura dhe një në tri prej tyre janë në borxh, kanë rënie të aftësisë paguese, si dhe rritje të sigurimit të huave jashtë bankave.
Një zhvillim negativ lidhet me huamarrjen jashtë sistemit bankar, pasi 60 për qind e qytetarëve deklarojnë se marrin borxh nga burime joformale (persona fizikë dhe te dyqanet) ndërkohë që vetëm 40% u drejtohen bankave. Vrojtimi konkludon se ka rënë aftësia paguese e familjeve 12.5% duke treguar përkeqësim, por me ritëm më të ulët se 6 muaj më parë. Familjet që kanë deklaruar “rënie të aftësisë paguese” në 48% të rasteve japin si arsye “rënien e të ardhurave familjare” dhe në 38 % të rasteve “rritjen e shpenzimeve të jetesës”.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë ka vlerësuar situatën financiare dhe të huamarrjes së familjeve dhe bizneseve në Shqipëri për periudhën maj-qershor 2014, duke patur në fokus zhvillimet e gjysmës së parë të vitit dhe pritshmëritë për 6-mujorin e dytë të 2014-ës. Janë intervistuar një kampion përfaqësues prej 2.010 familjesh në 16 rrethe të vendit dhe janë përgjigjur rreth 90% e familjeve të intervistuara.

Inflacioni, 1.5 për qind gjatë muajin shtator
Në shtator ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1.5%, njoftoi INSTAT. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.7%. Kështu, niveli i inflacionit vijon të mbetet nën kuotën minimale të preferuar nga Banka e Shqipërisë, prej 2 përqindësh. Kjo flet për një konsum gjithnjë të dobët të brendshëm. Rritja vjetore në muajin shtator është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0.83 pikë përqindjeje. Ndërsa çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0.43 pikë përqindjeje. Krahasuar me muajin shtator 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 8.7%. Krahasuar me një vit më parë, çmimi i duhanit u rrit me 11.7%. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    



 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?