Kultura
Opinion

Pasqyrë, moj pasqyrë…

27 Nëntor 2021, 18:44| Përditesimi: 27 Nëntor 2021, 18:50

  • Share

Cila vajzë në fëmijërinë e vet pasi mësoi për Borëbardhën nuk qëndroi para pasqyrës dhe nuk pyeti: “Pasqyrë, moj pasqyrë, kush është më e bukura nga të gjitha?” Por kur u bë grua, çfarë mendoi për veten e saj dikur para pasqyrës? A i beson më përrallës, apo syçelur nga jeta e përditshme e kyçi atë në skutën më të errët të kujtesës së saj. Çfarë i tregon tani të bijës? Më erdhën këto pyetje në mendje teksa u gjenda në mes të një nisme të Un Women “Awake not sleeping: Reimagining the fairy tales for a new generation”(“Zgjuar, jo fjetur, ritregimi i përrallave për një brez të ri”) ku shkrimtare nga pothuajse e gjithë Evropa punuan për të shkruar një libër ndryshe me përralla.

Unë e gjeta pak nga pak Hanën, vajzën që kapi diellin. Në fillim e paemër, u ngjiz nga një motiv shqiptar, por shpejt ajo ma mori historinë që kisha menduar për të, dhe me zgjuarsinë e saj përmbysi magjinë e pasqyrës. Hana është rritur në punishten e pasqyrave të babait të saj, diku në një fshat të pushtuar nga xhindi. Nuk është heroinë par excellence, madje ka frikë, si çdo vajzë, djalë, burrë apo grua. Por frika e saj humbet fuqinë natyrshëm teksa kupton se fundi i fshatit është i pashmangshëm. Nuk e ndalën dot djemtë e burrat e fortë që shkuan e nuk u kthyen më. Kupton se nuk do të fitojë asgjë nëse qëndron duarkryq, kupton se forca fizike njerëzore është e papërfillshme para xhindit. Ajo që për të tjerët është pika e dorëzimit para fatit, për vajzën është pika e veprimit për ta ndryshuar atë. Hana guxon sepse ka besim në vete dhe është e ditur. Ajo ka historitë e përrallave kundër, por nuk e di, sepse babai i saj nuk i mësoi që të rrijë para pasqyrës dhe ta pyesë nëse është më e bukura nga të gjitha. Ai e mësoi se pasqyra mund të jetë më e vlefshme se një konkurs bukurie apo magjie, ajo mund të jetë një mjet i dobishëm për të mirën e njerëzimit. Ai i mësoi të besojë se një vajzë mund të bëhet ç’të dojë, nëse beson fort të vetja dhe se dija është më e fuqishme se muskujt. I mëkoi dashurinë për njerëzit dhe bukurisë i dha konceptin shpirtëror.

Hana është vetëm njëra prej personazheve të cilat duan të ndryshojnë stereotipet e njerkave shtriga, princeshave të fjetura që pranojnë fatin e tyre pa kushte, modeleve të bukurisë fizike deri në kufijtë e paimagjinueshmes. Ato risjellin, në një këndvështrim të ri, vajzat me fuqinë e mendimit, veprimit, vendimit, pavarësisë dhe koherencës, pa e bjerrë aspak magjinë e përrallës dhe elementët e saj fantastikë. Kështu gruaja, dikur vajzë që pyeste: “Pasqyrë moj pasqyrë kush është më e bukura nga të gjitha?”, mund t’ia lexojë bijës së saj, por edhe vetes një një libër me përralla që nuk do ta harrojë më në skutat e kujtesës.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?