Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, madje as nuk po përjetojmë një panoramë të pandodhur politike. Siç ka ndodhur më herët në disa vende pranë nesh, ku Departamenti Amerikan i Shtetit përdori mekanizmin “Non grata” për politikanë e zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion.
Ish-kryetari i Parlamentit rumun, Liviu Dragnea, i cili ishte kryetar i socialdemokratëve në mazhorancë, u shpall 'Non grata' nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pasi kjo forcë politike shkarkoi nga posti Kryeprokuroren Speciale Anti Korrupsion, Laura Kovesi. Pas këtij akti, Partia Socialdemokrate e Rumanisë, u përjashtua edhe nga Partia Socialiste Europiane, gjë që shkaktoi tërmet politik, duke dërguar në burg kryetarin e saj, Draganea për korrupsion. Sot kjo forcë është në opozitë, pasi pësoi një transformim politik, që e riktheu edhe në gjirin e PSE-së. Duhet pasur arasysh se Rumania është përveçse një vend i madh dhe anëtar i Bashkimit Europian.
Ndërkaq, edhe në Shqipëri jemi në kushtet e një orteku politik të ardhur nga SHBA, ngjashëm edhe me rastin rumun, ku Sali Berisha ka tentuar të bllokojë reformën antikorrupsion në drejtësi.
E sot, ne kemi përveç vendimit të Sekretarit të Shtetit të SHBA, edhe kërkesën e prerë drejtuar PD-së që ta largojë Sali Berishën nga radhët e grupit parlamentar, ose të ish-kryeministri të dorëzojë mandatin e deputetit.
Kjo ka sjellë një situatë politike shokuese brenda Partisë Demokratike, ku Sali Berisha është në vetminë e tij të madhe politike, më të rëndë prej 30 vitesh, ku ai ka prodhuar e shkatërruar karriera politike bashkëpunëtorësh.
Sot, ne kemi zëra të fortë nga brenda Partisë Demokratike si Fatbardh Kadilli, që kërkon që kjo forcë politike të mos shkojë kundër kohës duke u përplasur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, pjesa tjetër zyrtare e PD-së ka futur kokën në rërë si struci, dhe nuk po mban ende një qëndrim zyrtar. Megjithatë, deri më sot nuk ka dalë një mbrojtje e fortë ndaj Berishës. Gjë që ka frustruar mjaft ish-kryeministrin, i cili po shantazhon Lulzim Bashën ditë pas dite. Kurse nga ana tjetër, qarqe politike e mediatike pranë Berishës, po mundohen të krijojnë terren për krijimin e një terreni politik antiamerikan, me pretekstin se Amerika nuk po qeveriset siç duhet, e ndaj duhet pritur të ndryshojë politika. Këto qasje duken paksa kontradiktore, se nga njëra anë me homofobi sulmojnë politikën amerikane si pranë komunitetit LGBT, e nga ana tjetër, sulmuan pa fre, njeriun më të afërt të Donald Trump, Richard Grenell, i cili kuotohej si Sekretar Amerikan i Shtetit, nëse presidenti i mëparshëm do të fitonte zgjedhjet presidenciale.
Megjithatë, kemi një situatë shoku, edhe nga krahu i opozitës së “vogël”, që nga LSI-ja e Ilir Metës, e deri tek partizat e tjera, që në fakt nuk kanë mbajtur qëndrime të qarta pro Sali Berishës. Madje ka pasur zëra që kanë kërkuar mos përplasjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo gjendje shock-u natyrisht që nuk do të vijojë gjatë, e në shtator, do të duhet që PD-ja të ketë një pozicionim të qartë politik për Sali Berishën. Nëse nuk do ta largojë, e gjërat do të vijojnë siç janë, ka gjasa që njëjtë si me rastin rumun, nga Partitë Popullore Europiane, të kemi një vendim të fortë për Partinë Demokratike…TemA
Sali berisha trim mbi trimat
Përgjigju