Pashkët ortodokse/ Në Jerusalem festojnë më pak besimtarë për shkak të tensioneve, festa s’ndal sulmet në Ukrainë

16 Prill 2023, 16:23| Përditesimi: 16 Prill 2023, 16:38

  • Share

Mijëra besimtarë ortodoksë në mbarë botën festojnë sot Pashkët. Në mesnatë, ata kanë mbushur kishat, ku është mbajtur mesha e shenjtë.

Në kishën e Varrit të Shenjtë në qytetin e vjetër të Jerusalemit, mijëra besimtarë morën pjesë në Ceremoninë e Zjarrit të Shenjtë. Ata u mblodhën fillimisht në kishën e lashtë, e cila besohet të jetë ndërtuar në vendin ku është kryqëzuar, varrosur dhe ku ringjallet Jezu Krishti. Flakët kaluan nga personi në person përreth kishës me të krishterët vendas dhe pelegrinët e huaj që prisnin në rrugët e ngushta aty pranë për shkak të tensioneve të ditëve të fundit, kësaj here prania e besimtarëve ishte më e ulët.

Edhe besimtarët ortodoksë të Palestinës kremtuan këtë ditë të veçantë të kalendarit fetar.

Festime pati edhe në Rusi. Presidenti Vladimir Putin mori pjesë në meshën e Pashkëve të drejtuar nga Patriarku Kiril në katedralen e Krishtit Shpëtimtar në qendër të Moskës. Ai eci në këmbë para besimtarëve, duke mbajtur në dorë një qiri.

Banorë të fshatit Karizha në Rusinë qendrore, u mblodhën në mesnatë në kishën ortodokse dhe mes dëshirave kryesore të shprehura nga besimtarët ishte fundi i luftës, teksa peshkopi tha se lutjet shkojnë për popullin e Ukrainës dhe të Rusisë, për situatën ku ndodhen.

Pashkët ortodokse nuk kanë ndalur forcat ruse. Luftimet e ashpra po zhvillohen edhe në afërsi të qytetit Donetsk, ku gjatë natës kishte bombardime veçanërisht pranë Katedrales. Nga këto bombardime 1 person mbeti i vdekur ndërsa 2 të tjerë të plagosur. Në momentin e shpërthimit të raketave, në kishë po mbahej mesha e Pashkëve Ortodokse.

Ndërsa këtë të dielë në ditën e Pashkëve Ortodokse rreth 130 të burgosur lufte ukrainas janë liruar dhe janë kthyer në shtëpi në një "shkëmbim të madh të Pashkëve", por nuk dihet numri i rusëve që janë kthyer.

Pashka është festa më e rëndësishme e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?