Imzot George Frendo

Pas shërimit nga COVID, Imzot George Frendo mesazh besimtarëve: Shpresoj të kremtoj meshën me popullin në Katedrale të dielën me 6 dhjetor

29 Nëntor 2020, 17:28| Përditesimi: 29 Nëntor 2020, 17:51

  • Share

TIRANË- Pas shërimit nga COVID-19, Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës ka bërë një mesazh drejtuar të gjithë besimtarëve të krishterë. Mesha e të dielës më 6 dhjetor mund të mbahet nga Frendo. Lajmin e ka bërë të ditur ai vetë, teksa thotë se kjo periudhë për të nuk ka qenë aspak e lehtë, por që ia ka dalë mbanë. Imzot George Frendo ka pasur edhe një falenderim për të gjithë ata që u lutën për shëndetin e tij.

"Falenderoj Zotin se së shpejti do të jem përsëri me grigjen time. Larg grigjes jam ndjerë si kokë pa trup. Gëzohem se mund të vazhdoj të kremtoj kohën e Ardhjes, në përgatitje për Krishtlindjen, bashkë me popullin tim. Kjo periudhë ka qenë për mua një eksperiencë e dhimbshme. Megjithatë jam ndjerë më afër Jezusit, i cili, nga dashuria e tij për ne, ka pranuar dhimbje për shelbimin tonë. Dhe jam ndjerë më afër atyre që, në këto ditë, po vuajnë nga e njejta sëmundje. Zoti ti forcoftë e ti sheroftë.

Falenderoj përzemersisht të gjithë ata që më kanë qenë pranë që në fillimin e kësaj sëmundjeje, veçanërisht bashkëpuntorët e mi më të ngushtë dhe gjithashtu falënderoj për shërbimin e parë që kam marrë nga strukturat e shërbimit Shëndetësor në vend, veçanërisht në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Dëshiroj të falënderoj shumë nga ata që më kanë uruar shërim të shpejtë, ndër të cilët Presidenti i Republikes Z. Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit Z. Gramoz Ruci, Kryetarin e Bashkisë Z. Erjon Veliaj, Z. Lulezim Basha kryetarin e Partisë Demokratike, e shumë e shumë të tjerë!

Falenderoj të gjithë besimtarët që janë lutur për mua. Shpresoj të kremtoj meshën me popullin në Katedrale të dielen me 6 dhjetor. Ju përshëndes përzemërsisht duke ju kujtuar të gjithëve gjithmonë në lutjen time", shkruan Frendo.

Arqipeshkvi i Tiranës George Frendo rezultoi pozitiv me koronavirus më 12 nëntor. Ai u dërgua me urgjencë, brenda një kapsule drejt Italisë, për shkak se ka pasur probleme me frymëmarrjen. Më herët, e ka fituar betejën me COVID-19 dhe Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos.

Imzot George Frendo teksa u transportua për kurim të specializuar në Itali

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?