Pas sensibilizimit të 'A1Report'
4-fish mamografitë

24 Tetor 2013, 14:17| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Fushata sensibilizuese për luftimin e kancerit të gjirit, e nisur në muajin tetor nga televizioni “A1 Report” dhe “Shqiptarja.com”, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, ka dhënë efektet e saj të pritshme.

Nga 6 ekzaminime në ditë, që është mesatarja e mamografive të kryera përgjatë vitit, vetëm gjatë muajit tetor, janë regjistruar 24 mamografi në ditë, përkatësit 12 paradite dhe 12 pasdite, Sipas burimeve të A1Report, vetëm një ditë pas Konferencës së organizuar "Kanceri i gjirit mund të luftohet. Mjafton të duash!", mbajtur me 21 tetor me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama dhe ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe shumë personaliteteve të politikës, mjekësisë e shoqërisë civile, pati një fluks të jashtë zakonshëm për kontrolle.

Shifrat bëhen të ditura nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Një shifër kjo që tregon rritjen e sensibilizimit tek gratë për të kapur në kohë kancerin e gjirit.

Ndërkohë po në kuadër të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, drejtori ISKSH-së Astrit Beci, gjatë një vizite në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3 në kryeqytet ku kryhen mamografi falas për popullatën në nevojë, është shprehur: "Ne duam të vëmë theksin te parandalimi i sëmundjes dhe kapjes së saj që në stade të hershme dhe për këtë arsye, kemi vendosur një indikator matës të cilësisë së shërbimit në të gjithë qendrat shëndetësore, që lidhet me depistimin (kontrollin) e grave në moshë risku për kancer gjiri".

Më tej, Beci tha se “mjekët e familjes do të depistojnë gratë në moshë risku për kancer gjiri dhe ne do të nxisim për realizimin e këtij treguesi, duke paguar bonus të posaçëm shtesë mbi pagën, për ata që arrijnë këto tregues”, pasi sipas tij është shumë i rëndësishëm ndërgjegjësimi i popullatës.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?