Kosova & Rajoni

Pas mbështetjes së LDK-së, Vjosa Osmani shumë afër zgjedhjes si presidente e vendit

31 Mars 2021, 12:29| Përditesimi: 31 Mars 2021, 17:57

  • Share

Edhe pse ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të votohet për presidentin e ri të vendit, pretendentja për këtë post Vjosa Osmani, ka siguruar numrin e mjaftueshëm të pjesëmarrjes së deputetëve në këtë seancë. Kjo pas deklaratave të ditës së djeshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, ku kryetari I saj Lumir Abdixhiku, deklaroi se ata vendosën që të marrin pjesë në seancën parlamentare për zgjedhjen e presidentit.

Kryetari i LDK-së pas një takimi të kryesisë së partisë tha se partia që ai drejton “nuk do të paraqesë pengesa dhe do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues për të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, kurdo që mbahet seanca.

Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës duhet të ndodhë para datës 5 maj kur dhe skadon afati gjashtëmujor i ushtruesit të detyrës së presidentit.

Lëvizja Vetëvendosje që në zgjedhjet e 14 shkurtit doli partia e parë ka kandiduar Vjosa Osmanin për presidente. Votat e Vetëvendosjes së bashku me votat e pakicave jo serbe dhe 15 votat e LDK-së, mund t’ia sigurojnë Osmanit kuorumin e mjaftueshëm përtej 80 deputetësh në mënyrë që ajo të zgjidhet presidente.

Sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 votash.

Dy partitë tjera që tashmë janë në opozitë Partia Demokratike e Kosovës PDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, janë deklaruar se nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin për president, pasi sipas tyre ajo nuk paraqet një kandidate apolitike.

Ndërkohë që përfaqësuesit ndërkombëtare në vend u kanë bërë thirrje partive politike që të shmangin mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ambasadorët në Kosovë u kërkuan partive politike në pushtet dhe opozitë që të punojnë për prioritetet e përbashkëta, duke theksuar qartë se detyrë e parë është zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.

Që nga 5 nëntori i vitit të kaluar Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pas dorëheqjes së Hashim Thaҫit i cili u akuzua për krime lufte nga Gjykata Speciale, aty edhe ku gjendet aktualisht në paraburgim.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?